Transmetuar më 29-08-2026, 16:46

TIRANË – 29 gusht 2026 – Kryeministria ka reaguar pas vendimit të Erion Veliajt për t’i hequr kompetencat e deleguara nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani.

Përmes zëdhënëses Manjola Hasa, në një reagim për Top Channel, Kryeministria ka theksuar se Erion Veliaj vijon të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në reagim argumentohet se ushtrimi i mandatit nga Veliaj nuk përbën vetëm një të drejtë të tij si i zgjedhur, por edhe një të drejtë të qytetarëve të Tiranës që e kanë votuar. Kryeministria e konsideron këtë një çështje të respektimit të Kushtetutës dhe vullnetit të zgjedhësve.

Sa i përket situatës së krijuar në Bashkinë e Tiranës, Kryeministria e lidh atë me faktin që Veliaj ndodhet në qeli dhe shprehet se kjo ka sjellë një situatë të pazakontë në drejtimin e kryeqytetit.

Më poshtë reagimi i plotë i Kryeministrisë:

“Për këtë çështje ka folur Gjykata Kushtetuese dhe vendimi i saj është i qartë: Erion Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ushtrimi i mandatit nga ana e vet, nuk është një e drejtë thjesht e tij si i zgjedhur, po është një e drejtë e zgjedhësve të kryeqytetit, e cila cënohet përditë me pasoja jo të papërfillshme në mbarëvajtjen e punëve dhe shërbimeve të Bashkisë Tiranë.

Ky është opinioni i kryeministrit dhe kjo është një çështje e respektimit të Kushtetutës e të vullnetit të zgjedhësve, tek e cila kryeministri nuk sheh hapësirë për interpretime nga askush.

Sa për “situatën e krijuar” në Bashkinë e Tiranës, ajo është pjesë e konfuzionit që ka krijuar në ecurinë e kryeqytetit të Shqipërisë kyçja e të zgjedhurit në qeli, e cila ka imponuar një qeverisje të Tiranës me vartës në distancë – një absurd “ligjor” që në Europën demokratike as nuk mund të imagjinohet, e jo më të ndodhë.”

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit