

Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 4 vatra aktive, situata më problematike në Dajt dhe Bulqizë TIRANË – 29 gusht 2026 – Ministria e Mbrojtjes ka publikuar këtë të shtunë një përditësim mbi situatën e zjarreve në territorin e vendit, duke bërë me dije se deri në orën 14:00 janë raportuar 12 vatra zjarri.
Nga këto, 4 vatra vijojnë të jenë aktive, ndërsa 3 të tjera janë nën mbikëqyrje. Për përballimin e situatës në terren janë angazhuar gjithsej 214 forca operacionale, 6 automjete zjarrfikëse, 75 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 3 helikopterë.
Dajti, riaktivizim dhe zgjerim i flakëve
Situata më problematike raportohet në Dajt, në drejtim të Qafë-Priskës, përballë Farkës, ku janë evidentuar riaktivizime dhe zgjerim i frontit të zjarrit.
Në zonë po operojnë 25 forca zjarrfikëse dhe të AZM-së, si dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura. Për ndërhyrjen nga ajri janë angazhuar edhe dy helikopterë.
Bulqizë, forcat të përqendruara në Vajkal
Një tjetër vatër problematike është ajo në Vajkal të Bulqizës, ku janë përqendruar forcat e emergjencës. Operacioni mbështetet nga një helikopter dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, krahas forcave të MZSH-së, shërbimeve pyjore dhe vullnetarëve.
Aktive vijon të jetë edhe vatra në Qafë të Helmës, e cila po monitorohet dhe, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Në Sllatinë të Dibrës janë angazhuar 78 forca të MZSH-së, shërbimeve pyjore, ADZM-së, bashkisë dhe vullnetarëve për përballimin e situatës.
Ndërkohë, vatrat në Koms, malin e Dardhës dhe malin e Qukësit janë izoluar ose ndodhen nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Zjarri i raportuar në Delisuf të Vlorës është shuar plotësisht. Flakët kishin përfshirë rreth 2 hektarë sipërfaqe me shkurre.
Autoritetet vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në zonat ku zjarret mbeten aktive, me qëllim parandalimin e përhapjes së tyre dhe mbrojtjen e zonave të banuara.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






