

KORÇË – Një marrëveshje noteriale bashkëjetese mes të dënuarit me burgim të përjetshëm Laert Haxhiu dhe modeles kosovare Ziza Pajaziti është administruar në dosjen hetimore të Prokurorisë së Korçës, duke hedhur dritë mbi marrëdhënien mes tyre.
Sipas dokumenteve të siguruara nga gazetari Elton Qyno, marrëveshja është firmosur më 6 tetor 2025, pranë noterit publik Bledar Zake në Korçë. Dokumenti është nënshkruar nga Haxhiu në ambientet e burgut të sigurisë së lartë në Drenovë, ndërsa Pajaziti e ka firmosur jashtë institucionit të vuajtjes së dënimit.
Marrëveshja është lidhur rreth katër muaj pasi Pajaziti kishte zhvilluar një takim special me Haxhiun në burgun e Drenovës, më 12 qershor 2025.
Në dokument, të dyja palët deklarojnë se kanë nisur bashkëjetesën dhe se e vijojnë atë në mënyrë të qëndrueshme si çift. Marrëveshja përcakton gjithashtu të drejtat dhe detyrimet e tyre gjatë bashkëjetesës.
Dokumenti parashikon rregullime lidhur me administrimin e pasurive, detyrimet financiare të përbashkëta, përgjegjësinë prindërore ndaj fëmijëve që mund të lindin, si dhe mënyrën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe përfundimit të bashkëjetesës.
Një tjetër pikë e marrëveshjes lidhet me pasuritë. Sipas dokumentit, pasuritë e fituara nga secila palë përpara fillimit të bashkëjetesës mbeten pronë e veçantë e saj, ndërsa pasuritë e fituara gjatë bashkëjetesës trajtohen sipas përcaktimeve të kontratës.
Në dosjen e hetimit ndodhet edhe një informacion i përcjellë nga Komisariati i Policisë Lushnjë, sipas të cilit Haxhiu dhe Pajaziti dyshohet se kanë bashkëjetuar gjatë periudhës kur ai ishte në kërkim. Ky informacion, sipas raportimeve të gazetarit Elton Qyno, është marrë gjatë pyetjes së familjarëve të tyre, të cilët kanë deklaruar se çifti kishte bashkëjetuar në Shqipëri dhe Greqi.
Marrëveshja noteriale është lidhur në një periudhë kur Prokuroria e Korçës kishte nisur hetime për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj ish-drejtorit të burgut të Drenovës, Fatjon Fasho, dhe ish-shefit të policisë së këtij institucioni, Sokol Kaçoli.
Çështja lidhet me ngjarjet e vitit 2025 në burgun e Drenovës, ku u hetuan hyrja e personave në takime speciale me të dënuar për vepra të rënda dhe futja e pajisjeve telefonike në ambientet e burgut.
Aktualisht, çështja është dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Korçës. Sipas të dhënave të bëra publike, një zyrtar i burgut të Drenovës është marrë i pandehur për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve”, ndërsa ndaj një zyrtari tjetër procedimi penal është pushuar për shkak të zbatimit të ligjit të amnistisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






