Transmetuar më 29-08-2026, 14:38

KORÇË – Forcat RENEA kanë zhvilluar një operacion në qytetin e Korçës për kapjen e Mjallaq Përgjikës, një person i dënuar me 18 vite burg për vrasje, por pavarësisht kontrolleve, ai nuk është lokalizuar.

Sipas informacioneve, forcat speciale kanë ushtruar kontrolle në një pallat në qytet, ku dyshohej se mund të fshihej Përgjika. Megjithatë, operacioni nuk ka çuar në kapjen e tij dhe kërkimet për të vijojnë.

Mjallaq Përgjika është një emër i njohur për autoritetet dhe kronikën e zezë. Ai është dënuar për vrasjen e 24-vjeçarit Pëllumb Çollaku, i cili ishte denoncuar i zhdukur nga familjarët më 26 dhjetor 2008.

Trupi i të riut u gjet më 3 janar 2009 pranë aksit rrugor Korçë–Voskopojë, me plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Në qershor të po atij viti, policia identifikoi Mjallaq Përgjikën si autor të dyshuar të ngjarjes.

Hetimet e zhvilluara në atë kohë e lidhnin vrasjen me konflikte të dyshuara për pazare droge. Përgjika u arrestua dhe më pas u dënua me 18 vite burg.

Në listën e personave të shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, ai figuron me gjeneralitetet Mjallaq (Mihallaq) Petrika Përgjika, i datëlindjes 3 dhjetor 1981 dhe me origjinë nga Korça.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit