

Vlorë | 29 gusht 2026 — Policia ka arrestuar një 25-vjeçar, të dyshuar si autor të zjarrvënies në fshatin Tërbaç, ku flakët përfshinë sipërfaqe të mëdha toke dhe u përhapën më pas edhe në territorin e Vranishtit.
Sipas Policisë, zjarri u shfaq më 26 gusht në vendin e quajtur “Lugu i Thatë”, në fshatin Tërbaç. Pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë shkuan në vendngjarje, ku mbështetën forcat zjarrfikëse në përballimin e situatës dhe vënien nën kontroll të flakëve.
Paralelisht me ndërhyrjen për shuarjen e zjarrit, policia nisi hetimet për përcaktimin e shkakut dhe identifikimin e personit përgjegjës.
Si pasojë e përhapjes së flakëve, zjarri përfshiu edhe territorin e fshatit Vranisht, duke dëmtuar një sipërfaqe të konsiderueshme toke të mbjellë, si dhe bimësi të egër dhe pyjore.
Pas veprimeve të thelluara hetimore, grumbullimit të provave materiale dhe administrimit të informacioneve të nevojshme, policia identifikoi si të dyshuar për zjarrvënien 25-vjeçarin A. B., banues në fshatin Tërbaç.
Në përfundim të veprimeve hetimore, ai u arrestua nga policia.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”, për veprime të mëtejshme.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






