

TIRANË – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj ish-efektivit të Policisë, Uljan Shpataraku.
Shpataraku u arrestua më 26 gusht në Durrës, teksa ndodhej në të njëjtin automjet me Ergys Agasin, i cili ishte shpallur në kërkim nga drejtësia. Ish-efektivi akuzohet për veprën penale të “përkrahjes së autorit të krimit”.
Në momentin e arrestimit, Shpataraku drejtonte automjetin e tij tip “Audi RS2”, me vlerë të pretenduar rreth 100 mijë euro. Automjeti është sekuestruar nga autoritetet.
Në seancën për caktimin e masës së sigurisë, Shpataraku është mbrojtur nga avokati Elton Hyseni, ndërsa Prokuroria e Posaçme është përfaqësuar nga prokurori Bledar Maksuti.
Gjatë kontrolleve në banesën e ish-zyrtarit të Policisë, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar shtatë armë zjarri: tre pistoleta, dy armë të tipit “shotgun” dhe dy pushkë.
Shpataraku ka mbajtur më herët detyra në strukturat e Policisë së Shtetit, ndërsa hetimet ndaj tij vijojnë në kuadër të procedimit penal të Prokurorisë së Posaçme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






