Transmetuar më 29-08-2026, 11:50

DURRËS – Një konflikt për pagesën e një 18-vjeçari që punonte si kamerier në një hotel në zonën e Malit të Robit, në Golem, rrezikoi të përfundonte në një ngjarje të rëndë kriminale.

Sipas të dhënave paraprake, 18-vjeçari G. N. dyshohet se është dhunuar nga disa persona të lidhur me pronarin e hotelit, pasi kishte kërkuar pagesën për punën e kryer.

I riu përfundoi në Spitalin e Kavajës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Pas ngjarjes, xhaxhai i tij, M. N., 47 vjeç, dyshohet se është armatosur me një kallashnikov dhe është nisur drejt hotelit me qëllim vrasjen e personave që kishin dhunuar nipin e tij.

47-vjeçari u ndalua në afërsi të hotelit, ndërsa gjatë kontrollit të automjetit u gjet një çantë shpine me një armë automatike kallashnikov, tre karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se pas konfliktit, vendi ku kishte ndodhur ngjarja dyshohet se ishte pastruar, ndërsa DVR-ja e kamerave të sigurisë ishte hequr dhe kabllot ishin prerë.

Për dhunimin e 18-vjeçarit janë arrestuar F. H., 28 vjeç, dhe E. D., 20 vjeç. Një tjetër person, A. F., 36 vjeç, është shpallur në kërkim, ndërsa M. M., 36 vjeç, po procedohet në gjendje të lirë.

Në pranga përfundoi edhe xhaxhai i 18-vjeçarit, M. N., 47 vjeç.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes. /noa.al

Foto arkiv

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit