Transmetuar më 29-08-2026, 10:35

TIRANË – 34 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë territorin e vendit gjatë 24 orëve të fundit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 5 prej tyre vijojnë të jenë aktive, ndërsa 2 të tjera janë nën mbikëqyrje.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 481 forca operacionale dhe 44 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të strukturave vendore janë vënë gjithashtu 105 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse të FA-së, 3 helikopterë dhe një avion “Air Tractor”.

Vatrat aktive janë të përqendruara në qarqet Tiranë dhe Dibër.

Në Malin e Dajtit vijojnë ndërhyrjet pas riaktivizimit të tre vatrave. Në operacion janë angazhuar 25 forca zjarrfikëse dhe të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, si dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në qarkun Dibër vijojnë të jenë aktive vatrat në Qafë të Helmës, Vajkal, Sllatinë dhe Komsi.

Në Vajkal janë angazhuar 61 forca, përfshirë 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Në Sllatinë operojnë 78 forca, ndërsa në Komsi janë angazhuar edhe 25 efektivë të FA-së.

Sipas autoriteteve, aktualisht nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara në këto vatra.

Ndërkohë, në qarkun Elbasan, vatrat në Malin e Dardhës dhe Malin e Qukësit janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Gjatë ditës së djeshme, ndërhyrje të konsiderueshme u kryen edhe në Tërbaç dhe Vranisht të Himarës, ku u angazhuan forca tokësore, dy helikopterë dhe një avion “Air Tractor”. Në Xhyrë të Librazhdit u ndërhy gjithashtu me një helikopter të Forcave të Armatosura. Të dyja këto vatra janë deklaruar të fikura.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit