

ELBASAN – Ergys Agasi do të transferohet në paraburgimin e Bradasheshit, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë ndaj tij.
Agasi do të mbahet në ambientet e paraburgimit të Bradasheshit, ku do të vijojë qëndrimin nën masën e sigurisë “Arrest me burg”, të caktuar nga gjykata.
Një ditë më parë, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la në fuqi masën “Arrest me burg” ndaj Agasit, i cili u arrestua më 26 gusht, pas disa muajsh në arrati.
Ai ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për aferat e dyshuara që lidhen me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Ndaj Agasit, Prokuroria e Posaçme ka ngritur disa akuza, mes tyre “grup kriminal”, “pastrim parash”, “shkelje e barazisë në tendera”, “konkurrencë e paligjshme” dhe “heqje e paligjshme e lirisë”.
Çështja vijon të jetë nën hetim nga SPAK, ndërsa Agasi do të qëndrojë në paraburgim në pritje të zhvillimeve të mëtejshme të procesit gjyqësor.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






