

BRITANI E MADHE – Më shumë se dy vjet pas turbulencave të forta që goditën një fluturim të “Singapore Airlines” mbi Mianmar, bashkëshortja e një 73-vjeçari britanik që humbi jetën gjatë incidentit ka nisur procedurat ligjore ndaj kompanisë ajrore.
Linda Kitchen, 74 vjeçe, nga Thornbury në Britani, e ka çuar çështjen në Gjykatën e Lartë britanike, ku kërkon, ndër të tjera, mbështetje financiare për dëmtimet e rënda në shtyllën kurrizore që pësoi gjatë turbulencave.
Linda dhe bashkëshorti i saj, Jeff Kitchen, po udhëtonin në maj të vitit 2024 nga aeroporti Heathrow i Londrës drejt Singaporit, kur avioni u përball me turbulenca të forta.
Sipas avokatëve të familjes, avioni humbi rreth 6 mijë metra lartësi brenda një periudhe të shkurtër. Më pas, fluturimi u devijua drejt Bangkokut, ku avioni kreu një ulje emergjente.
Linda ka treguar se turbulencat shkaktuan panik te pasagjerët dhe se në ato momente mendoi se avioni mund të rrëzohej.
“Ndihesha sikur avioni po binte. Pashë Kindle-in tim dhe telefonin e Jeff-it në dysheme dhe mendova se avioni po binte jashtë kontrollit”, ka rrëfyer ajo.

Gjatë rënies së menjëhershme të avionit, Jeff ra mbi bashkëshorten e tij, duke bërë që Linda të përplasej fort në mbështetësen e krahut të sediljes.
Pasagjerët arritën ta lëviznin Jeff-in, ndërsa një mjek që ndodhej në bord nisi përpjekjet për reanimimin e tij.
Pas uljes emergjente në Bangkok, Linda u dërgua në spital, ndërsa Jeff mbeti në avion. Ajo mësoi vetëm dy ditë më vonë se bashkëshorti i saj kishte ndërruar jetë. Sipas familjes, ai kishte pësuar një atak në zemër pas incidentit.
Linda qëndroi 10 ditë në spital në Bangkok përpara se të kthehej në Britani. Pas mbërritjes në Bristol, ajo u shtrua sërish në spital për shkak të dëmtimeve të pësuara.
Edhe pas daljes nga spitali, dëmtimet bënë që ajo të kishte nevojë për ndihmë të konsiderueshme në jetën e përditshme.
Avokatja e saj, Anthi Korelidou, e specializuar në çështjet e ligjit të aviacionit, e lidh shkallën e dëmtimeve me forcën e turbulencave gjatë fluturimit.
Familja kërkon përgjigje lidhur me mënyrën se si ndodhi incidenti dhe nëse mund të ishin marrë masa të tjera për të kufizuar pasojat.
Çështja e Linda Kitchen në Gjykatën e Lartë britanike pritet të shqyrtojë përgjegjësitë që lidhen me incidentin, ndërsa 74-vjeçarja kërkon kompensim për dëmtimet që i kanë ndryshuar jetën, si dhe përgjigje lidhur me vdekjen e bashkëshortit të saj.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






