

DURRËS – Kapiteneria e Portit të Durrësit ka ndaluar hyrjen në radën e portit të tanker-it “Hanuman”, një anije e listuar nga Inteligjenca e Mbrojtjes së Ukrainës (GUR) si pjesë e të ashtuquajturës “flotë hije” ruse.
Anija, e cila lundron nën flamurin e Sierra Leones, nuk është lejuar të hyjë në port më 28 gusht.
Bëhet fjalë për tanker-in me numër IMO 9295048, i cili, sipas të dhënave të publikuara nga GUR, është përfshirë në transportin detar të naftës ruse dhe produkteve të saj, në kundërshtim me sanksionet dhe kufirin e çmimit të vendosur nga vendet e G7 dhe Bashkimi Europian.
Sipas databazës së shërbimit ukrainas, në shtator të vitit 2025, “Hanuman” ka transportuar më shumë se 30 mijë tonë produkte nafte ruse nga porti i Novorossiysk, në Rusi, drejt Turqisë.
Anija është evidentuar gjithashtu për raste të fikjes së sistemit të identifikimit automatik (AIS). Në të dhënat e publikuara nga GUR përfshihen edhe vizita të “Hanuman” në porte ruse, si dhe lëvizje të tjera, mes tyre edhe në Durrës.
Vendimi i Kapitenerisë së Durrësit për të mos lejuar hyrjen e tanker-it në radën e portit vjen në një kohë kur aktiviteti i anijeve të dyshuara se janë pjesë e “flotës hije” dhe që lidhen me transportin e naftës ruse po monitorohet nga autoritetet ndërkombëtare.
Termi “flotë hije” përdoret për një rrjet anijesh që dyshohet se shërben për transportin e naftës dhe produkteve të tjera ruse, duke synuar shmangien e kufizimeve dhe sanksioneve të vendosura pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Rasti i tanker-it “Hanuman” e vendos Portin e Durrësit në vëmendje, pasi anija figuron në të dhënat e GUR për aktivitetet dhe itineraret e saj të mëparshme. Vendimi i Kapitenerisë ka bërë që ajo të mos lejohet të hyjë në port më 28 gusht.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






