

TIRANË – Një ditë pas takimit me ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve, kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka mbledhur të deleguarit politikë dhe deputetët socialistë të qarkut të Tiranës.
Takimi pritet të përqendrohet te organizimi i strukturave të PS-së në territor, zbatimi i nismave “Besa” dhe “Prania Besnike”, si dhe forcimi i komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët.
Në mbledhjen e një dite më parë, Rama u kërkoi drejtuesve politikë të jenë më të pranishëm në zonat që mbulojnë dhe të bashkëpunojnë më ngushtë me strukturat e Partisë Socialiste, deputetët dhe kryetarët e bashkive.
Në kuadër të këtij organizimi, pritet të hartohet edhe një axhendë takimesh me qytetarët, përmes së cilës do të evidentohen shqetësimet individuale dhe problematikat e komuniteteve, nga infrastruktura dhe menaxhimi i mbetjeve, te investimet dhe shërbimet publike.
Ankesat dhe problematikat e evidentuara në terren do t’u përcillen ministrive dhe institucioneve përgjegjëse. Ndjekja e tyre deri në marrjen e një zgjidhjeje do t’i ngarkohet një zëvendësministri.
Kjo mënyrë organizimi lidhet me dokumentin “Besa”, i cili vendos në fokus dëgjimin e qytetarëve, ndërsa “Prania Besnike” synon një angazhim më të drejtpërdrejtë të përfaqësuesve politikë në territor.
Në takimin e zhvilluar një ditë më parë është diskutuar edhe për ndryshimet ligjore që lidhen me platformën “Pasqyrë Albania”, të prezantuar nga Rama në Pogradec.
Platforma synon të mbledhë dhe të ndjekë ankesat e qytetarëve, me objektiv që ato të marrin përgjigje brenda dy javësh. Sistemi parashikon dy mekanizma: “Flamingo Albania”, për mbledhjen e ankesave dhe shqetësimeve, dhe “Radar”, për ndjekjen e trajtimit të tyre nga ministritë, bashkitë dhe institucionet e tjera.
Mbledhja e Ramës me strukturat e Tiranës zhvillohet në një kohë kur Partia Socialiste ka intensifikuar organizimin e saj në territor, ndërsa në horizont janë zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Takimi vjen një ditë pas mbledhjes së kryeministrit me ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve, ku në fokus ishte programi i punës për sezonin e ri dhe mënyra e organizimit të komunikimit me qytetarët.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






