

Ministria e Mbrojtjes ka bërë një përditësim të ri mbi situatën e zjarreve në të gjithë territorin e vendit, ku konfirmohet se nga 17 vatra, 8 prej tyre vijojnë të jenë ende aktive, 4 janë nën mbikëqyrje dhe 5 janë shuar plotësisht.
Sipas njoftimit, flakët kanë përfshirë disa zona, duke përfshirë Dajtin, Bulqizën, Dibrën, Librazhdin, Gjirokastrën, Tepelenën, Mallakastrën dhe Himarën, ku terreni i thyer dhe kushtet atmosferike kanë vështirësuar ndërhyrjen e forcave.
Për përballimin e emergjencës, strukturat e Mbrojtjes Civile kanë mobilizuar të gjitha kapacitetet operacionale, përfshirë dhjetëra forca zjarrfikëse, 50 efektivë ushtarakë, si dhe mbështetje masive nga ajri me 4 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor”. Ndërsa në Librazhd është dashur të evakuohen dy banesa për shkak të afërsisë së vatrës.
Vatrat aktive:
Mali i Dajtit, Tiranë – vijojnë tre vatra të riaktivizuara në zonën e Qafë Priskës dhe kreshpën e malit. Në terren janë angazhuar 25 forca zjarrfikëse dhe AZM.
Qafë e Helmës, Bulqizë – zjarr në shkurre dhe pisha; po punohet me prita dhe pompa shpine. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Vajkal, Bulqizë – vijon zjarri në terren shkëmbor me shkurre e dëllinja. Janë angazhuar 95 forca, përfshirë 20 efektivë të FA, si dhe 1 helikopter i FA. Nuk ka rrezik për banesat.
Sllatinë, Dibër – situata u rëndua gjatë mesditës për shkak të temperaturave dhe erës, duke kaluar në pyll me pisha të larta. Në terren janë mbi 100 forca dhe është angazhuar 1 helikopter i FA. Nuk rrezikohen zonat e banuara.
Xhyrë, Librazhd – vatër aktive e favorizuar nga era; 2 banesa u evakuuan dhe mjetet zjarrfikëse janë pozicionuar pranë tyre. Në operacion është angazhuar edhe 1 helikopter i FA.
Tërbuq, Gjirokastër – zjarri ka përshkuar rreth 30 ha, por aktualisht është nën kontroll të plotë dhe nuk paraqet më rrezik për banorët.
Dragot, Tepelenë – Krahas MZSH-ve janë nisur në mbështetje 30 forca ushtarake dhe 3 automjete zjarrfikëse të FA.
Çorrush, Mallakastër – vijon puna për shuarjen e zjarrit në kullota dhe bimësi të ulët; janë angazhuar 2 automjete zjarrfikëse dhe 8 efektivë të MZSH.
Në fshatin Tërbaç, Vranisht, njësia administrative Horë-Vranisht, bashkia Himarë, vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe pyjore me shkurre. Në terren janë angazhuar 2 automjete zjarrfikëse me 9 efektivë të MZSH Himarë, ndërsa operacionet nga ajri u mbështeten nga 2 helikopterë dhe 1 avion Air Tractor.
Në mbështetje të operacioneve në rang vendi janë angazhuar gjithsej 50 forca ushtarake, 4 helikopterë dhe 1 avion Air Tractor të FA.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






