

TIRANË – 28 GUSHT 2026 – Ka përfunduar takimi i zhvilluar në Vilën e Kuqe, ku kryeministri Edi Rama u ka dhënë detyra drejtuesve politikë dhe deputetëve socialistë, me fokus forcimin e komunikimit me qytetarët dhe daljen në terren.
Sipas burimeve, Rama u ka kërkuar përfaqësuesve të Partisë Socialiste që të zhvillojnë sa më shumë takime me qytetarët, të evidentojnë problematikat e tyre dhe t’i përcjellin ato për trajtim institucional.
Drejtuesit politikë, strukturat e PS-së në qarqe, deputetët dhe kryetarët e bashkive pritet të hartojnë një plan konkret për takimet në terren dhe mbledhjen e shqetësimeve të qytetarëve.
Problematikat do të grupohen sipas fushave dhe më pas do t’u përcillen ministrive përkatëse. Për ndjekjen e zgjidhjes së tyre do të caktohet edhe një zëvendësministër, i cili do të ketë përgjegjësi për monitorimin e procesit.
Një tjetër porosi e Ramës ka qenë që takimet me qytetarët të mos shoqërohen domosdoshmërisht nga kamera, duke kërkuar që fokusi të jetë te komunikimi i drejtpërdrejtë dhe dëgjimi i problematikave në terren.
Ndërkohë, ende nuk është përcaktuar një datë për mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste.
Të shtunën, kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë një tjetër takim me drejtuesit politikë dhe deputetët e Tiranës, në një zonë periferike të kryeqytetit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






