

TIRANË – 28 GUSHT 2026 – Protesta qytetare kundër qeverisë ka hyrë në ditën e 90-të, ndërsa pjesëmarrësit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e asaj që e cilësojnë si “klasa e vjetër politike”.
Protestuesit shprehen se qëllimi i lëvizjes është që e ardhmja e Shqipërisë të përcaktohet nga qytetarët dhe jo nga interesat politike.
Një prej protestuesve tha se qytetarët duhet të luftojnë për një të ardhme më të mirë për brezat që do të vijnë.
“Jemi të gjithë në shesh dhe luftojmë për dorëheqjen e Ramës dhe klasës së vjetër politike. Të mos ia lëmë Shqipërinë të tjerëve. Nuk është për t’u shitur, është e fëmijëve tanë që do ta lulëzojnë”, u shpreh ajo.
Duke folur për 90 ditët e protestës, ajo e cilësoi këtë periudhë si një provë për qytetarët, duke theksuar se ndryshimi politik nuk mund të arrihet brenda një dite.
“Kjo që po kalojmë është një provë. Nuk e prisnim që ditën e parë të rrëzonim kryeministrin. Duhet të përballemi jo vetëm me sfidat, por edhe me sfidën e përballjes me njëri-tjetrin, me grupet dhe mendimet e ndryshme”, tha protestuesja.
Sipas saj, pavarësisht dallimeve mes pjesëmarrësve në protestë, fokusi duhet të jetë te ndërtimi i një kauze të përbashkët, përtej interesave individuale.
“Mes dallimeve duhet të ndërtojmë diçka që është më e madhe se gjithkush prej nesh. Duhet të ndërtojmë besimin se bashkë mund të bëjmë diçka për Shqipërinë”, u shpreh ajo.
Protestuesja e cilësoi sheshin ku zhvillohet protesta si një hapësirë të rëndësishme për shprehjen e lirë të qytetarëve.
“Për 90 ditë ky mikrofon është tempull i fjalës së lirë. Të gjithë po godasim sistemin me drejtime të ndryshme”, përfundoi ajo.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






