

QIPRO – Festës me kartëmonedha 50-euroshe të Dinamos pas kualifikimit ndaj FK Audës i është përgjigjur në mënyrë ironike Pafos, pasi skuadra qipriote eliminoi ekipin shqiptar dhe i dha fund aventurës së tij evropiane.
Pas kualifikimit ndaj FK Audës, presidenti i Dinamos, Ardian Bardhi, u bë viral në rrjetet sociale pas pamjeve nga dhomat e zhveshjes, ku shfaqej duke hedhur tufa me kartëmonedha 50-euroshe mbi lojtarët si premio për suksesin.
Por festa e bluve nuk zgjati shumë. Në ndeshjen e radhës, Pafos triumfoi ndaj Dinamos dhe siguroi kualifikimin, duke mbyllur rrugëtimin e skuadrës shqiptare në Evropë.
Pas përfundimit të takimit, futbollistët e Pafos publikuan një fotografi në dhomat e zhveshjes, ku shfaqeshin me printime të kartëmonedhave 500-euroshe në duar.
Postimi u interpretua si një thumbim ndaj Dinamos dhe festës së saj me para pas kualifikimit të mëparshëm. Një mënyrë ironike për të festuar suksesin, ndërsa në fund ishte rezultati në fushë ai që përcaktoi skuadrën që vijoi më tej në Evropë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






