

Takimi, i parashikuar fillimisht në selinë e PS-së, është zhvendosur te Vila Qeveritare. Në zonën përreth është vendosur një perimetër sigurie dhe qarkullimi i personave pa autorizim është kufizuar.
TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Vilën Qeveritare, ku në orën 18:00 pritet të zhvillojë një takim me ministrat dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste.
Takimi ishte planifikuar të mbahej në selinë e PS-së, por është zhvendosur në Vilën Qeveritare. Ndryshimi i vendndodhjes vjen në një kohë kur protestuesit kanë bërë thirrje për grumbullim pranë selisë së Partisë Socialiste.
Ndërkohë, zona nga Ambasada Amerikane në drejtim të Vilës Qeveritare është blinduar me forca të shumta policie. Në hyrje të vilës është vendosur një perimetër sigurie, ku nuk lejohet kalimi i personave pa autorizim.
Takimi zhvillohet pas mbledhjeve dyditore të socialistëve në Pogradec dhe mbledhjes së qeverisë të zhvilluar një ditë më parë.
Përgatitjet për zgjedhjet lokale Gjatë takimit, Rama pritet t’u japë drejtuesve politikë udhëzimet për punën që do të zhvillojnë në zonat e tyre elektorale, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të vitit 2027.
Drejtuesit politikë pritet të zhvillojnë takime me strukturat e PS-së për prezantimin e dokumenteve strategjike të mazhorancës, “Besën” dhe “Praninë Besnike”.
Gjatë takimeve në Pogradec është prezantuar edhe platforma “Pasqyrë Albania”, e cila synon të mbledhë dhe ndjekë ankesat e qytetarëve.
Sipas projektit, problematikat e paraqitura nga qytetarët duhet të marrin përgjigje brenda dy javësh, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi të ndjekin në kohë reale institucionin ku ndodhet kërkesa e tyre.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






