Transmetuar më 28-08-2026, 16:35

Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën “arrest në burg” për biznesmenin Ergys Agasi. Pas seancës, avokati i tij Maks Haxhia foli për mediat, ndërsa hetimet e SPAK për çështjen vijojnë.

TIRANË – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të lërë Ergys Agasin në masën e sigurisë “arrest në burg”.

Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë nisi në orën 09:30 dhe gjatë ditës u ndërpre pas kërkesës së mbrojtjes për kohë shtesë, me qëllim njohjen me materialet e dosjes hetimore. Procesi rinisi në orën 12:00 dhe pas disa orësh diskutime, trupi gjykues shpalli vendimin.

Pas përfundimit të seancës, avokati Maks Haxhia doli para mediave, ku foli për qëndrimin e mbrojtjes dhe zhvillimet gjatë procesit.

Ergys Agasi u arrestua më 26 gusht, në kuadër të një operacioni të koordinuar nga SPAK dhe Forcat e Posaçme Operacionale. Ai u ndalua në zonën e Plepave në Durrës, pas ndjekjes së automjetit me të cilin udhëtonte.

Automjeti drejtohej nga ish-punonjësi i Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku, i cili gjithashtu u arrestua. Sipas të dhënave të bëra publike, gjatë kontrollit në automjet u gjetën rreth 4 mijë euro cash.

Hetimet e SPAK Sipas dyshimeve të ngritura nga hetuesit, Ergys Agasi dyshohet se, në bashkëpunim me biznesmenin Ermal Beqiri, i arrestuar më herët në Francë, ka pasur rol në një grup të strukturuar kriminal të ngritur pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Dyshimet lidhen me procedura tenderimi me vlerë miliona euro, të cilat, sipas hetimit, dyshohet se ishin paracaktuar në favor të kompanive të lidhura me Beqirin.

Në dosje janë përfshirë gjithashtu dyshime për përdorim të presionit dhe raste të heqjes së paligjshme të lirisë ndaj personave që konsideroheshin rivalë në biznes, me qëllim tërheqjen e tyre nga garat për tenderët publikë.

Në kuadër të së njëjtës çështje janë nën hetim edhe ish-drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zëvendësja e saj, zyrtarë të lartë të Policisë dhe biznesmenë të tjerë.

Ndaj Agasit rëndojnë dyshime për veprat penale të “grupit të strukturuar kriminal”, “pastrimit të parave”, “shkeljes së barazisë në tendera”, “konkurrencës së paligjshme” dhe “heqjes së paligjshme të lirisë”.

Me vendimin e sotëm, GJKKO ka caktuar ndaj tij masën “arrest në burg”, ndërsa hetimet e SPAK për çështjen vijojnë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit