Transmetuar më 28-08-2026, 15:56

Seanca për vlerësimin e masës “arrest në burg” ndaj biznesmenit u pezullua teksa avokati Maks Haxhia vijonte paraqitjen e argumenteve të mbrojtjes. Gjykata pritet të vendosë nëse do ta lërë në fuqi masën e caktuar në mungesë.

TIRANË – Seanca në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj biznesmenit Ergys Agasi është ndërprerë për herë të dytë, pas më shumë se dy orësh diskutime.

Seanca, e cila rinisi në orën 12:00, është pezulluar ndërsa avokati mbrojtës Maks Haxhia vijonte paraqitjen e argumenteve ligjore në mbrojtje të klientit të tij. Mësohet se kohëzgjatja e fjalës së mbrojtjes ka sjellë ndërprerjen e procesit, i cili pritet të vijojë më vonë gjatë ditës.

Më herët, trupi gjykues kishte vendosur një tjetër ndërprerje, pas kërkesës së mbrojtjes. Avokati Haxhia kishte kërkuar kohë shtesë për t’u njohur me aktet e dosjes hetimore dhe vendimin për caktimin e masës së sigurisë, duke argumentuar se nuk i kishte pasur më parë në dispozicion.

Agasi u arrestua pas disa muajsh në kërkim

Ergys Agasi doli sot para gjykatës për verifikimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, e cila ishte caktuar ndaj tij në mungesë.

Biznesmeni ndodhej në kërkim që prej dhjetorit 2025 dhe u arrestua më 26 gusht në zonën e Plepave në Durrës. Në momentin e ndalimit, ai ndodhej në një automjet me ish-punonjësin e Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku, i cili gjithashtu u arrestua.

Pas përfundimit të argumenteve të mbrojtjes, trupi gjykues pritet të tërhiqet për vendim dhe të përcaktojë nëse masa “arrest në burg” do të lihet në fuqi apo do të ndryshohet.

Vendimi pritet të merret pas përfundimit të seancës.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit