

Kampionët e Shqipërisë do të përballen me Midtjylland, Lincoln Red Imps dhe Kauno Žalgiris në shtëpi, ndërsa në transfertë do të luajnë ndaj Bragës, Universitatea Craiova dhe Aarhus.
MONACO – Egnatia ka mësuar kundërshtarët që do të ketë përballë në fazën e ligës së Conference League për sezonin 2026-2027. Shorti u hodh këtë të premte në Monaco, me klubin nga Rrogozhina që merr pjesë për herë të parë në këtë fazë të kompeticionit.
Egnatia do t’i luajë tre ndeshje në shtëpi, përballë danezëve të Midtjylland, Lincoln Red Imps nga Gjibraltari dhe lituanezëve të Kauno Žalgiris.
Në transfertë, kampionët e Shqipërisë do të përballen me portugezët e Bragës, rumunët e Universitatea Craiova dhe danezët e Aarhus.
Formati i Conference League Conference League zhvillohet për të tretin vit radhazi me formatin e fazës së ligës, ku marrin pjesë 36 skuadra dhe të gjitha renditen në një klasifikim të përbashkët.
Çdo ekip do të luajë gjashtë ndeshje ndaj kundërshtarëve të ndryshëm, tri në shtëpi dhe tri në transfertë. Në këtë fazë, skuadrat nga i njëjti vend nuk mund të përballen me njëra-tjetrën, ndërsa një klub mund të ketë maksimumi dy kundërshtarë nga e njëjta shoqatë kombëtare.
Tetë ekipet e para të renditjes do të sigurojnë direkt një vend në fazën e 1/8-ave. Skuadrat e renditura nga vendi i nëntë deri në të 24-in do të luajnë në fazën play-off për një biletë në fazën me eliminim direkt.
Ndërkohë, ekipet që përfundojnë nga vendi i 25-të deri në të 36-in do të eliminohen nga kompeticioni.
Faza e ligës së Conference League do të nisë më 15 tetor 2026, ndërsa finalja është programuar të zhvillohet më 2 qershor 2027, në stadiumin e Besiktasit në Stamboll.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






