

Gjykata e Durrësit ka konfirmuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Bledar Çunin, i cili u arrestua tre ditë më parë në një lokal në Berat teksa po festonte “Baby Shower” për zbulimin e gjinisë së fëmijës së bashkëshortes së tij.
Gjatë seancës gjyqësore, Çuni pretendoi se nuk kishte pasur për qëllim të vriste Fabion Kuçin (i njohur si “Gucci” në TikTok), por vetëm ta trembte për shkak të ofendimeve dhe sharjeve në rrjetet sociale, pretendime të cilat nuk u morën parasysh nga gjykata e cila e akuzon për “Vrasje me dashje mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”.
Ngjarja për të cilën akuzohet 35-vjeçari daton në dhjetor të vitit 2025, kur Kuçi u sulmua me armë dhe sende të forta në një lokal në Durrës, ngjarje në të cilën Çuni dyshohet se ka qenë personi që ka qëlluar me pistoletë, së bashku me bashkëpunëtorin e tij Fabjan Brahja (i arrestuar më parë në maj në Kamëz).
Pavarësisht se ishte në kërkim, Çuni rrezikoi arratinë për të marrë pjesë në festën familjare në Berat, ku u vu në pranga nga FNSH-ja dhe policia lokale menjëherë pas përfundimit të gëzimit, ndërsa tashmë vijon të përballet me drejtësinë për të kaluarën e tij me precedentë penalë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






