Transmetuar më 28-08-2026, 11:58

Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale, ka finalizuar me sukses një tjetër fazë të operacionit të koduar "Fast", duke vënë në pranga në zonën e Plepave 28-vjeçarin e huaj.

Noa.al konfirmon se i dyshuari është Sebastian Templet, 28 vjeç nga Norvegjia.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi autoritetet e vendit të tij e kishin dënuar me urdhër-arresti për krime kundër personit dhe qetësisë publike.

Por mbi të riun rëndonin akuza edhe në Shqipëri për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, Gjykata e Apelit në Shqipëri i kishte caktuar atij masën e sigurisë "Arrest në burg" në muajin maj 2026, ndërsa autoritetet norvegjeze kishin lëshuar urdhërarrestin për kanosje dhe prishje të qetësisë publike që në prill të këtij viti.

Pas arrestimit në mesin e majit të këtij viti, i riu ishte lënë i lirë, por ra sërish në pranga dje për llogari të palës norvegjeze, raporton noa.al.

Interpol Tirana po bashkëpunon ngushtë me homologët norvegjezë për të kryer procedurat e mëtejshme për ekstradimin e tij drejt Norvegjisë.

NJOFTIMI:

Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me DVP Durrës, një tjetër fazë e operacionit të koduar “Fast”.

I akuzuar në Norvegji, për krime kundër personit dhe kundër qetësisë publike, dhe në Shqipëri, për krime në fushën e narkotikëve, kapet te zona e quajtur “Plepat”, Durrës, shtetasi norvegjez.

Në vijim të koordinimit informativ dhe operacional, nëpërmjet Interpol Tiranës, me homologët në Norvegji, me objektiv lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania) në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Durrës, finalizuan një tjetër fazë të operacionit të koduar “Fast”, si rezultat i të cilit u lokalizua te zona e quajtur “Plepat”, dhe u arrestua provizorisht shtetasi norvegjez, S. T., 28 vjeç.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, sepse autoritetet gjyqësore norvegjeze, në muajin prill, 2026, kanë lëshuar urdhër arresti për të, për kanosje dhe për prishje të qetësisë publike. Ndërkaq, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, në muajin maj, 2026, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet norvegjeze, vijon procedurën për ekstradimin e 28-vjeçarit, në Norvegji.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit