

Kryeministri pritet të japë udhëzimet për takimet në qarqe, ndërsa socialistët po përgatiten për zgjedhjet lokale të vitit 2027 dhe Asamblenë e PS-së.
28 gusht 2026 – Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë këtë të premte një takim me ministrat dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në qarqe. Takimi pritet të mbahet në orën 17:30 në selinë e PS-së dhe vjen pas mbledhjeve dyditore të zhvilluara në Pogradec dhe mbledhjes së qeverisë një ditë më parë.
Në fokus të diskutimeve pritet të jenë bashkëqeverisja dhe organizimi i strukturave socialiste në territor. Rama pritet t’u japë drejtuesve politikë udhëzimet për nisjen e takimeve në zonat e tyre elektorale, me synim prezantimin dhe shpjegimin e dokumenteve strategjike të mazhorancës, përfshirë “Besën” dhe “Praninë Besnike”.
Një tjetër çështje e diskutuar pritet të jetë platforma “Pasqyrë Albania”, e prezantuar gjatë qëndrimit në Pogradec. Platforma synon të mbledhë dhe të ndjekë ankesat e qytetarëve, me objektivin që problematikat të marrin përgjigje brenda dy javësh dhe qytetarët të kenë mundësi të ndjekin në kohë reale ecurinë e kërkesave të tyre.
Sistemi parashikohet të funksionojë përmes dy mekanizmave. “Flamingo Albania” do të shërbejë për mbledhjen e ankesave dhe shqetësimeve të qytetarëve, ndërsa “Radar” do të gjurmojë mënyrën se si kërkesat trajtohen nga ministritë, bashkitë dhe institucionet e tjera.
Krahas organizimit të brendshëm dhe punës për bashkëqeverisjen, Partia Socialiste ka nisur përgatitjet në funksion të zgjedhjeve lokale të vitit 2027. Në axhendën politike të socialistëve është edhe Asambleja e Partisë Socialiste, e cila pritet të zhvillohet në javën e parë të shtatorit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






