

TIRANË, 27 gusht 2026 — Viti i ri shkollor do të nisë më 14 shtator, me disa ndryshime në mënyrën se si do të zhvillohet dita e parë në institucionet arsimore.
Sipas udhëzuesit të miratuar nga Ministria e Arsimit, dita e parë nuk do t’i kushtohet zhvillimit normal të mësimit, por orientimit të nxënësve me rregullat, normat e sjelljes dhe funksionimin e komunitetit shkollor.
Gjatë kësaj dite, nxënësit do të njihen me rregullat e sigurisë, kodin e veshjes, ndalimin e përdorimit të telefonave celularë gjatë procesit mësimor, si dhe rregullat për ushqyerjen në ambientet e shkollës, përfshirë moslejimin e ushqimeve të pashëndetshme.
Në procesin e informimit do të përfshihet i gjithë stafi i shkollës, nga mësuesit dhe mësuesit kujdestarë te shërbimi psiko-social, oficerët e sigurisë dhe punonjësit e tjerë të institucionit.
Shkollat do të kenë regjistër risku
Udhëzuesi parashikon gjithashtu një qasje të re për vlerësimin dhe menaxhimin e riskut në shkolla.
Zyrat vendore arsimore do të caktojnë koordinatorët e riskut dhe do të hartojnë regjistra ku institucionet arsimore do të klasifikohen sipas shkallës së rrezikut.
Vlerësimi do të kryhet përmes analizimit të dëshmive, anketave dhe vëzhgimeve në terren. Në bazë të këtyre të dhënave, drejtuesit e shkollave do të duhet të marrin masa për reduktimin ose eliminimin e rreziqeve të identifikuara.
Për problematikat që tejkalojnë kompetencat e institucioneve arsimore, shkollat do të bashkëpunojnë me bashkitë, Policinë dhe shërbimet shëndetësore.
Fokus te dhuna dhe bullizmi
Parandalimi i dhunës, bullizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm mbetet një nga prioritetet e përcaktuara edhe për këtë vit shkollor.
Udhëzuesi thekson nevojën për bashkëpunim më të ngushtë mes stafit të shkollës, prindërve dhe komunitetit, me synim identifikimin dhe parandalimin në kohë të problematikave që mund të cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve.
Në këtë mënyrë, dita e parë e shkollës do të shërbejë kryesisht si një fazë orientimi dhe ndërgjegjësimi, përpara nisjes së plotë të procesit mësimor.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






