

LEZHË, 27 gusht 2026 — Një aksident tragjik është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin rrugor që lidh Fishtën me superstradën Lezhë–Shkodër, ku ka humbur jetën një 13-vjeçar.
Sipas të dhënave paraprake, i mituri po lëvizte me patinë në momentin kur është përplasur nga një automjet tip “Audi”.
Në automjet ndodhej një çift bashkëshortësh nga Elbasani, të cilët udhëtonin së bashku me fëmijën e tyre të mitur. Pas përplasjes me 13-vjeçarin, drejtuesi i “Audit” ka humbur kontrollin mbi mjetin, i cili ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal.
Çifti dhe fëmija i tyre kanë mundur të shpëtojnë nga aksidenti, pavarësisht se automjeti përfundoi në kanal.
Ndërkohë, 13-vjeçari është transportuar me urgjencë drejt spitalit, por, për shkak të plagëve të marra nga përplasja, ka humbur jetën gjatë rrugës.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur hetimet për të përcaktuar dinamikën e aksidentit dhe shkaqet që çuan në përplasjen fatale.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar nga Policia, ndërsa vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes tragjike.
Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 20:10, në aksin e vjetër rrugor Blinisht–Fishtë, në fshatin Fishtë, automjeti me drejtues shtetasin E. K., rreth 33 vjeç, ka aksidentuar një të mitur, rreth 13 vjeç, i cili lëvizte me monopatinë. Si pasojë e përplasjes, i mituri ka ndërruar jetë.
Shtetasi E. K. është shoqëruar në Komisariat për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






