Transmetuar më 27-08-2026, 20:48

WASHINGTON, 27 gusht 2026 — Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka firmosur një urdhër ekzekutiv për ndryshimin e emërtimit zyrtar të Liqenit Ontario në “Liqeni Amerika”, duke e bërë emrin e ri të vlefshëm për përdorim nga institucionet federale amerikane.

Sipas urdhrit, Departamenti i Brendshëm dhe sekretari Doug Burgum do të ngarkohen me përditësimin e sistemit federal të emërtimeve gjeografike, si dhe të dokumenteve dhe referencave zyrtare ku figuron emri i liqenit.

Megjithatë, vendimi i administratës amerikane ka efekt vetëm në përdorimin zyrtar brenda Shteteve të Bashkuara. Ai nuk mund të detyrojë Kanadanë apo institucionet ndërkombëtare që të përdorin emërtimin e ri.

Liqeni Ontario është një nga pesë Liqenet e Mëdha të Amerikës së Veriut dhe shtrihet përgjatë kufirit mes provincës kanadeze Ontario dhe shtetit amerikan të Nju Jorkut.

Vendimi në sfondin e tensioneve SHBA-Kanada

Ndryshimi i emrit vjen në një periudhë marrëdhëniesh të tensionuara mes Uashingtonit dhe Otavës, veçanërisht për shkak të mosmarrëveshjeve tregtare dhe tarifave të vendosura nga të dyja palët.

Trump e kishte hedhur idenë për ndryshimin e emrit më herët gjatë kësaj jave, ndërsa me firmosjen e urdhrit ekzekutiv propozimi është formalizuar për përdorim nga administrata federale amerikane.

Emërtimi i ri pritet të përdoret në dokumentet dhe sistemet zyrtare amerikane, ndërsa në Kanada liqeni do të vazhdojë të njihet me emrin Lake Ontario.

Vendimi është një tjetër zhvillim simbolik në marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve fqinje, ndërsa mosmarrëveshjet tregtare vijojnë të mbeten në qendër të agjendës së Uashingtonit dhe Otavës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit