Transmetuar më 27-08-2026, 20:35

ALICANTE, SPANJË, 27 gusht 2026 — Një nga koleksionet më të rëndësishme të trashëgimisë parahistorike në Europë është grabitur në Muzeun e Villenës, në provincën e Alicante-s. Autorët kanë arritur të marrin pjesën më të madhe të Thesarit të Villenës, një koleksion unik artefaktesh që datojnë nga epoka e bronzit.

Grabitja ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur alarmi i muzeut u aktivizua rreth orës 05:20. Sipas autoriteteve, grabitësit u larguan nga ndërtesa vetëm katër minuta më vonë, duke e kryer operacionin në një kohë tepër të shkurtër.

Kryebashkiaku i Villenës, Fulgencio Cerdán, e cilësoi ngjarjen si një goditje të rëndë për qytetin dhe trashëgiminë e tij kulturore.

“Kanë marrë pjesën më të madhe të thesarit”, deklaroi ai, duke shprehur tronditjen për humbjen e artefakteve.

Një thesar 3 mijë vjeçar

Thesari i Villenës u zbulua në vitin 1963 nga arkeologu José María Soler. Koleksioni përbëhet nga 66 objekte, shumica prej ari, që datojnë rreth vitit 1000 para Krishtit.

Në mesin e artefakteve ndodhen 29 byzylykë, 11 kupa, tre shishe dhe objekte të tjera dekorative me rëndësi të jashtëzakonshme arkeologjike.

Disa prej tyre janë veçanërisht të rrallë për shkak të materialeve të përdorura. Studiuesit kanë ngritur dyshime se disa artefakte mund të jenë punuar me hekur me origjinë meteoritike, një material jashtëzakonisht i rrallë për periudhën së cilës i përkasin.

Koleksioni ishte ekspozuar në një sallë të posaçme të Muzeut të Villenës që prej majit 2024.

Edhe pse vlera historike dhe arkeologjike e thesarit konsiderohet e pallogaritshme, vetëm vlera e arit të përdorur në objektet e koleksionit është përllogaritur në rreth 1.7 milionë euro.

Dyshohet për një grabitje të planifikuar

Sipas autoriteteve, grabitësit dyshohet se kanë hyrë në muze përmes një dritareje, pasi kanë mbërritur në zonë me disa automjete.

Hetuesit po shqyrtojnë edhe aktivizimin e një alarmi tjetër, pak para grabitjes, në një qendër sportive të qytetit. Një nga pistat e hetimit është se ky alarm mund të jetë përdorur si diversion, me qëllim shpërqendrimin e autoriteteve dhe largimin e vëmendjes nga muzeu.

Profesori i arkeologjisë në Universitetin e Alicante-s, Mauro Hernández, vlerësoi se mënyra e realizimit të grabitjes tregon për një përgatitje të kujdesshme.

Autoritetet spanjolle kanë nisur një hetim të gjerë për identifikimin e autorëve dhe gjurmimin e artefakteve të vjedhura, ndërsa po analizohen edhe pamjet dhe të dhënat e sigurisë për të rindërtuar lëvizjet e grabitësve.

Thesari i Villenës konsiderohet një prej dëshmive më të rëndësishme të metalurgjisë dhe kulturës së epokës së bronzit në Gadishullin Iberik. Humbja e pjesës më të madhe të koleksionit ka shkaktuar shqetësim të madh në radhët e komunitetit arkeologjik dhe autoriteteve spanjolle.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit