Transmetuar më 27-08-2026, 19:56

MONAKO, 27 gusht 2026 — Shorti i fazës së ligës së Champions League ka dhuruar disa përballje spektakolare, me skuadrat më të mëdha të Europës që do të përballen që në fazën e parë të kompeticionit.

Kampionët në fuqi të Paris Saint-Germain kanë një kalendar të vështirë, me Manchester Cityn, Barcelonën dhe Romën mes kundërshtarëve të tyre.

Një nga sfidat më interesante do të jetë ajo mes Manchester Cityt dhe Barcelonës, që do të rikthejë në qendër të vëmendjes Rodrin, tashmë pjesë e klubit katalanas, përballë ish-skuadrës së tij.

Arsenal-Real Madrid, një tjetër supersfidë

Arsenali, finalist i sezonit të kaluar, do të përballet me Real Madridin, në një tjetër duel të nivelit të lartë. Londinezët do të kenë gjithashtu një transfertë të vështirë në Gjermani, ndaj Bayern Munich.

Edhe Real Madridi ka një rrugëtim të komplikuar, me Arsenalin dhe Interin mes kundërshtarëve të fazës së ligës.

Barcelona, përveç Manchester Cityt, do të përballet edhe me kampionët e Europës, Paris Saint-Germain, duke kompletuar një seri përballjesh të forta që në këtë fazë.

Interi dhe Bayern përballen me prova të forta

Interi do të ketë përballë Liverpoolin dhe Real Madridin, ndërsa një tjetër transfertë e vështirë e pret në Dortmund.

Nga ana tjetër, Bayern Munich do të presë në “Allianz Arena” Arsenalin dhe do të udhëtojë në Madrid për t’u përballur me Atletico Madridin.

Në këtë edicion priten gjithashtu përballje të veçanta për trajnerë me histori të lidhur me klubet kundërshtare, mes tyre edhe José Mourinho, i cili do të përballet me Interin dhe Romën.

Champions League ndryshon format

Faza e ligës do të nisë më 8 shtator, ndërsa kompeticioni vijon të zhvillohet me formatin e ri të prezantuar sezonin e kaluar.

Nuk ka më grupe klasike. 36 skuadrat renditen në një tabelë të vetme dhe secila prej tyre luan nga tetë ndeshje kundër tetë kundërshtarëve të ndryshëm, katër në shtëpi dhe katër në transfertë.

Tetë skuadrat e para të renditjes sigurojnë direkt një vend në fazën e 1/8-ave. Ekipet e renditura nga vendi i 9-të deri në të 24-in do të luajnë në play-off për të siguruar kualifikimin në 1/8-at e finales.

Ndërsa skuadrat që përfundojnë nga vendi i 25-të deri në të 36-in eliminohen nga kompeticionet europiane.

Formati i ri dhe shorti i këtij sezoni premtojnë një fazë lige me shumë përballje të drejtpërdrejta mes skuadrave pretendente për trofeun.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit