Transmetuar më 27-08-2026, 19:25

LONDËR, 27 gusht 2026 — Është arrestuar në Londër, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, Korado Gështënja, 35 vjeç, i kërkuar nga autoritetet shqiptare për përfshirjen e dyshuar në rrëmbimin e Jan Prengës.

Sipas dokumenteve të gjykatës britanike të ekstradimeve, të shqyrtuara nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, Gështënja është arrestuar në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga SPAK dhe të miratuar nga GJKKO.

Në Britani, 35-vjeçari dyshohet se ka përdorur edhe mbiemrin Kështenja dhe emrin e rremë James Martin.

Akuzohet për rrëmbim dhe trafik droge

Përfaqësuesi i shtetit shqiptar i ka paraqitur gjykatës britanike akuzat ndaj Gështënjës, i cili dyshohet se më ose rreth 17 janarit 2020 ka privuar në mënyrë të paligjshme nga liria Jan Prengën, kundër vullnetit të tij.

Në të njëjtën çështje, autoritetet shqiptare e akuzojnë për bashkëpunim me persona të tjerë në një komplot për importimin dhe eksportimin e drogave të Kategorisë A, konkretisht kokainës nga Ekuadori.

Seanca e radhës për procesin e ekstradimit është caktuar më 2 shtator 2026, në orën 10:00. Gështënja aktualisht mbahet në paraburgim në Londër.

Dyshohet se mori pjesë në vëzhgimin dhe rrëmbimin

Sipas të dhënave të dosjes së SPAK, Korado Gështënja dyshohet se ka qenë pjesë e grupit që fillimisht ka vëzhguar dhe më pas ka marrë pjesë në rrëmbimin e Jan Prengës.

Prenga u rrëmbye në zonën e Kamzës në janar 2020 dhe më pas u dërgua në një resort në Shijak, ku u pa për herë të fundit.

Sipas hetimeve, ai është mbajtur peng dhe dyshohet se është torturuar. Trupi i Jan Prengës nuk është gjetur ende.

Prokuroria shqiptare ka arritur në përfundimin se rrëmbimi dyshohet se është porositur si akt hakmarrjeje pas humbjes së një sasie droge në Angli, ku ishte i përfshirë edhe vëllai i viktimës, Ndrek Prenga.

Në dosjen hetimore është përmendur gjithashtu edhe emri i Dritan Rexhepit, i dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje.

Procesi në Westminster Magistrates’ Court pritet të përcaktojë hapat e mëtejshëm lidhur me ekstradimin e Gështënjës drejt Shqipërisë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit