Transmetuar më 27-08-2026, 18:11

TIRANË, 27 gusht 2026 — Një hetim i Komisariatit Nr. 6 dhe Prokurorisë së Tiranës ka zbardhur një vjedhje të një banese në kryeqytet, ku autori i dyshuar kryesor rezulton të jetë nipi i të dëmtuarit.

Sipas dosjes hetimore, Leonardo Sinani, 26 vjeç, dyshohet se ka organizuar vjedhjen e banesës së xhaxhait të tij, Durim Sinanit, ndërsa vetë ndodhej në festën e ditëlindjes së bashkëshortes së tij.

Nga banesa dyshohet se janë marrë rreth 27 milionë lekë të vjetra, si dhe bizhuteri, ora, byzylykë dhe varëse floriri, me një vlerë të përllogaritur rreth 5 milionë lekë.

Për ngjarjen, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për tre personat e arrestuar: Leonardo Sinani, Mark Hila dhe Kleand Tomja. Ndërkohë, Antonio Budini, nga Lezha, është shpallur në kërkim.

Si dyshohet se u organizua vjedhja Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 14 gushtit 2026, kur Durim Sinani kishte shkuar në një lokal në fshatin Ibë, për të festuar ditëlindjen e bashkëshortes. Mes të ftuarve ishte edhe nipi i tij, Leonardo Sinani.

Prokuroria dyshon se gjatë kohës që ndodhej në festë, 26-vjeçari ka koordinuar veprimet me tre persona të tjerë, duke u dhënë atyre informacion mbi banesën dhe lëvizjet e familjarëve.

Sipas dëshmisë së të dëmtuarit, gjatë festës ai kishte konstatuar përmes telefonit se kamerat e sigurisë së banesës nuk po funksiononin. Në njërën prej kamerave kishte parë edhe një person pranë portës, por nuk kishte menduar se bëhej fjalë për një grabitje.

Familja është kthyer në banesë rreth orës 01:00 dhe ka konstatuar se shtëpia ishte kontrolluar nga hajdutët. Dyert e brendshme ishin hapur me forcë, ndërsa sirtarët, sendet personale dhe kutitë e bizhuterive ishin shpërndarë nëpër banesë.

Në një dhomë në katin e tretë, familjari kishte mbajtur paratë e familjes dhe të biznesit. Sipas dëshmisë së tij, nga banesa janë marrë rreth 27 milionë lekë të vjetra dhe bizhuteri floriri me vlerë rreth 5 milionë lekë.

Kamerat zbuluan tre persona me maska

Hetuesit kanë administruar edhe pamjet e dy kamerave të vendosura brenda banesës, të cilat funksiononin me kartë. Sipas dëshmive, në pamje shfaqen tre persona të maskuar, me kapuçë dhe doreza, duke kontrolluar dhomat dhe sendet e banesës.

Ndërkohë, DVR-ja e sistemit kryesor të kamerave të sigurisë ishte marrë nga autorët.

Dyshimet ndaj nipit janë forcuar edhe nga dëshmitë e familjarëve. Sipas djalit të të dëmtuarit, Leonardo Sinani e kishte pyetur para nisjes për në festë nëse shtëpia do të mbetej bosh dhe nëse kishte njeri në banesë.

Po sipas dëshmisë së tij, gjatë festës 26-vjeçari përdorte vazhdimisht telefonin, dilte jashtë lokalit dhe në disa momente largohej me makinë për t’u kthyer më pas. Më vonë, ai është larguar nga festa.

Hetuesit dyshojnë se pas largimit nga lokali, Sinani është bashkuar me tre personat e tjerë dhe ka marrë pjesë në realizimin e vjedhjes.

Për ngjarjen vijojnë hetimet, ndërsa materialet e dosjes janë paraqitur përpara Gjykatës së Tiranës, e cila ka vendosur masat e sigurisë për personat e arrestuar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit