

FUSHË-KRUJË, 27 gusht 2026 — Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar pasditen e sotme në aksin rrugor Borizanë–Thumanë, ku ka humbur jetën drejtuesi i një automjeti.
Sipas informacioneve paraprake të Policisë, rreth orës 16:40, 62-vjeçari Vatj Leka, banues në Borizanë, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit.
Mjeti ka dalë nga rruga, është përplasur me avllinë e një banese dhe më pas ka përfunduar në kanal. Drejtuesi, i cili udhëtonte i vetëm në automjet, ka marrë plagë të rënda.
Fillimisht u raportua se 62-vjeçari kishte humbur jetën në vendngjarje, ndërsa sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ai është transportuar në spital, ku më pas ka ndërruar jetë.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po vijojnë punën për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
“Krujë/Informacion paraprak. Rreth orës 16:40, në aksin rrugor “Borizanë-Thumanë”, shtetasi V. L., rreth 62 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, i cili ka dalë nga rruga.
Për pasojë, drejtuesi i automjetit ka ndërruar jetë në spital. Vijon puna nga grupi hetimor, për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.”, njofton Policia.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






