

LEZHË, 27 gusht 2026 — Një 41-vjeçar është arrestuar në Lezhë në kuadër të operacionit të koduar “Unaza”, pasi dyshohet se qarkullonte i armatosur me një automjet të blinduar dhe nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar.
Sipas Policisë, 41-vjeçari A. M., banues në Malecaj-Torovicë, u lokalizua në fshatin Torovicë, teksa lëvizte me automjetin e blinduar. Shërbimet e policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, por drejtuesi dyshohet se nuk iu bind urdhrit dhe vijoi lëvizjen me shpejtësi.
Pas disa minutash ndjekjeje, efektivët kanë mundur ta ndalojnë në fshatin Malecaj, ku edhe është bërë arrestimi i tij.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një pistoletë me fishek në fole, një krehër me disa fishekë, si dhe automjetin e blinduar. Sipas uniformave blu, arma dhe municionet dyshohet se u hodhën në tokë nga 41-vjeçari gjatë ndjekjes.
Policia bën me dije se i arrestuari ka precedent penal për “kanosje” dhe “kundërshtim të punonjësve të Policisë”.
Operacioni u zhvillua nga strukturat për hetimin e krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






