

TIRANË, 27 gusht 2026 — Zbardhen detaje të reja nga hetimet për email-et kërcënuese që shkaktuan alarm në disa prej institucioneve më të rëndësishme në vend, pas pretendimeve për praninë e mundshme të lëndëve shpërthyese.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, mesazhet kërcënuese kanë pasur të njëjtën përmbajtje dhe u janë dërguar institucioneve nga dy adresa të ndryshme elektronike. Verifikimet teknike dhe gjurmimi i adresave IP kanë evidentuar se njëri prej email-eve është dërguar nga Argjentina, ndërsa tjetri nga Brazili.
Megjithatë, lokalizimi i adresave IP nuk ka qenë i mjaftueshëm për të përcaktuar identitetin e personave që qëndrojnë pas mesazheve. Ekspertët e krimit kibernetik po analizojnë të dhënat teknike për të verifikuar nëse dy adresat janë përdorur nga i njëjti autor apo nëse pas tyre fshihen persona të ndryshëm.
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë që mesazhet të jenë pjesë e një veprimi të koordinuar, ndërsa vijojnë verifikimet për të përcaktuar autorët dhe motivin e kërcënimeve.
Strukturat e specializuara të sigurisë kibernetike dhe grupi hetimor po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave përgjegjës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






