

MAQEDONI E VERIUT – Një tjetër person ka humbur jetën në një spital të Shkupit pasi u infektua me virusin e Nilit Perëndimor, duke e çuar në gjashtë numrin e viktimave nga kjo sëmundje në Maqedoninë e Veriut.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, viktima e fundit është një 72-vjeçar nga Shkupi, i cili kishte qëndruar i shtruar në spital për rreth 15 ditë për shkak të një gjendjeje të rënduar shëndetësore.
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar deri tani 51 raste të infektimit, pjesa më e madhe e të cilave janë regjistruar në zonën e Shkupit.
Rritje e shpejtë e rasteve
Shumica e pacientëve të prekur janë persona mbi 60 vjeç. Disa prej rasteve kanë shfaqur komplikacione të rënda neurologjike, përfshirë encefalitin dhe meningjitin.
Rritja e numrit të rasteve në një periudhë të shkurtër ka shtuar shqetësimin e autoriteteve. Në fund të korrikut ishin raportuar vetëm 8 raste, ndërsa brenda disa javësh shifra ka arritur në 51.
Ky shpërthim epidemiologjik konsiderohet ndër më seriozët në vend vitet e fundit. Virusi i Nilit Perëndimor u regjistrua për herë të parë në Maqedoninë e Veriut në vitin 2011.
Për shkak të përhapjes së virusit, autoritetet kanë shpallur gjendje epidemie në disa komuna të Shkupit dhe kanë forcuar masat për kontrollin e mushkonjave, të cilat janë bartësit kryesorë të virusit.
Paralelisht, po vijon monitorimi epidemiologjik për identifikimin e rasteve të reja dhe kufizimin e përhapjes së infeksionit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






