Transmetuar më 27-08-2026, 16:11

BRITANI E MADHE – Autoritetet britanike po ndjekin penalisht personat e dëbuar që rikthehen ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, në shkelje të urdhrave të dëbimit.

Një prej rasteve më të fundit është ai i Jetmir Dacit, 33 vjeç, i cili është paraqitur në gjykatë në Londër, i akuzuar për shkeljen e një urdhri dëbimi të lëshuar më 12 gusht 2022.

Sipas të dhënave të paraqitura para gjykatës, Daci ishte në dijeni të urdhrit të dëbimit, por megjithatë hyri në mënyrë të paligjshme në Angli më 20 maj 2026.

33-vjeçari do të vijojë të qëndrojë i arrestuar në burgun Pentonville, ndërsa çështja e tij do të ndiqet përmes procedurave gjyqësore.

Raste të përsëritura

Ky nuk është rasti i parë i një shtetasi shqiptar të dëbuar që rikthehet ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Një vit më parë, Crown Prosecution Service bëri të ditur rastin e Emirjon Gjutës, 34 vjeç, i cili ishte dëbuar nga Britania në gusht 2020 dhe më pas ishte arrestuar në mars 2022, pasi rezultonte se ndodhej sërish ilegalisht në vend.

Gjuta u deklarua fajtor në Gjykatën e Magjistratëve të Leeds për rikthimin në Mbretërinë e Bashkuar në nëntor 2024, në kundërshtim me urdhrin e dëbimit.

Ndërkohë, raportime të The Daily Telegraph kanë ngritur shqetësimin për rikthimin e personave të dëbuar, duke pretenduar se disa shtetas shqiptarë paguajnë shuma të konsiderueshme për t’u kthyer në mënyrë të fshehtë në Britani.

Sipas raportimeve të gazetës, Shqipëria është ndër vendet nga të cilat organizohen rregullisht fluturime dëbimi për persona që kanë përfunduar dënimet ose kanë pranuar të vuajnë pjesën e mbetur të dënimit në vendin e tyre.

Të dhënat e gjykatave britanike, sipas të njëjtave raportime, tregojnë gjithashtu raste ku persona shqiptarë janë përballur me procedime të tjera penale pas rikthimit ilegal në Mbretërinë e Bashkuar.

Rasti i Jetmir Dacit pritet të shërbejë si një tjetër shembull i zbatimit të masave ligjore ndaj personave që shkelin urdhrat e dëbimit dhe rikthehen në mënyrë të paligjshme në territorin britanik.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit