Transmetuar më 27-08-2026, 15:14

TIRANË – Një 45-vjeçare është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se mashtronte familjet e prekura nga tërmeti i vitit 2019, duke u premtuar dëmshpërblime dhe banesa të reja në këmbim të shumave të konsiderueshme parash.

Sipas autoriteteve, Ina Cakaj dyshohet se prezantohej si punonjëse e administratës dhe pretendonte se kishte mundësi të ndikonte në procedurat për përfitimin e banesave ose dëmshpërblimeve për familjet e dëmtuara.

Shumat që ajo dyshohet se u kërkonte qytetarëve varionin nga 1 mijë deri në 10 mijë euro. Deri në këtë fazë të hetimit, rreth 30 persona dyshohet se janë mashtruar në zonën e Fushë-Krujës.

Sipas të dhënave të hetimit, dëmi financiar i shkaktuar llogaritet në rreth 60 milionë lekë të vjetra.

Gjatë veprimeve hetimore, policia ka sekuestruar si prova materiale dokumente dhe certifikata familjare që u përkasin personave të përfshirë në skemën e dyshuar të mashtrimit.

45-vjeçarja po hetohet për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.

Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të identifikuar raste të tjera të mundshme dhe për të dokumentuar plotësisht mënyrën e funksionimit të skemës.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit