

TIRANË – Grida Duma ka reaguar pas raportimeve të ditëve të fundit se ish-deputetja e së djathtës shqiptare mund të jetë pjesë e qeverisë së Edi Ramës, madje në postin e zv.kryeministres.
Përmes një deklarate publike, Duma i ka cilësuar këto raportime si pjesë të një serie intrigash dhe thashethemesh politike, duke ironizuar edhe skenarët për një “pazar” dhe një “sponsor” pas emrit të saj.
“Flini të qetë”, është mesazhi i saj për ata që e kanë përfshirë në këto skenarë. Duma theksoi se nuk synon t’i marrë vendin askujt dhe se, nëse një ditë do të vendosë të rikthehet në politikë, vendimi do të jetë vetëm i saji.
Ajo deklaroi se nuk pret ftesa nga aktorë të tjerë politikë dhe se rikthimi i saj, nëse ndodh, do të lidhet me bindjen se ka diçka për t’i ofruar Shqipërisë.
“Nëse një ditë unë do të kem vendimmarrjen time për të hyrë në politikë, do të hyj nga porta ime, nuk i bie portës së askujt për të hyrë në politikë”, u shpreh Duma.
Ish-deputetja kritikoi gjithashtu vëmendjen e madhe që i është kushtuar lëvizjeve për postet në qeveri, duke thënë se shqetësimi kryesor i qytetarëve është një tjetër: nëse kanë ende një të ardhme në Shqipëri.
Sipas saj, ndryshimi nuk mund të vijë nga një individ i vetëm, pavarësisht emrit apo pozicionit që mund të mbajë.
“Cilido qoftë emri, kushdo qoftë emri, mrekullia e Zotit qoftë ai individ, nuk e bën dot më i vetëm ndryshimin në këtë situatë”, deklaroi ajo.
Duma e mbylli reagimin e saj duke vënë theksin te nevoja për një ndryshim më të gjerë politik e institucional, përtej emrave dhe posteve që diskutohen aktualisht në skenën politike.
Pjesë nga fjala e ish-deputetes:
Ka ca ditë që po më përflitet emri se do të jem pjesë e qeverisë Rama. Ma kanë caktuar pazarin, ma kanë gjetur sponsorin, ma kanë përcaktuar pozicionimin. Jam argëtuar në fillim, e lashë të rridhte. Si lajm është një ushtrim durimi që e njoh prej kohësh. Flitet dhe përflitet, por nuk kam reaguar gjithmonë se unë mërzitem.
Duhet të reagoj atëherë kur lukunia e thashethemit në fakt nuk i jep shans dikujt që të mbajë ngrehur sistemin. Një sistem i cili duhet reformuar i gjithi. Thënë këtë, jua them që në krye të herës, flini të qetë, nuk kam ndërmend t’i marr vendin askujt. Mbi të gjitha sepse, nëse do t’i merrja vendin dikujt tani, në këto momente politike, do të kishte qenë keq për vendin, për Shqipërinë.
Në krye të herës do t’ju them po ashtu në këtë komunikim të shkurtër qartësues, nuk më thërret njeri mua në politikë, nuk pres unë ftesa nga të tjerët në politikë. Nëse një ditë unë do të kem vendimmarrjen time për të hyrë në politikë, do të hyj nga porta ime, nuk i bie portës së askujt për të hyrë në politikë dhe as nuk i pres këto ftesa-thirrje, sepse thirrjen në politikë e kam pasur dhe do ta kem gjithmonë vetë.
Vendimi im për të hyrë në politikë do të jetë sepse unë kam diçka për t’i kërkuar Shqipërisë, sepse kam diçka për të ofruar në ato çaste Shqipërisë. Thënë këtë, kanë ditë që gëlojnë, takohen në Pogradec, në jug, në Tiranë, ministra, deputetë, drejtues dhe mendojnë se shqiptarët e kanë gjithë vëmendjen te porta e tyre, nëse do të dalë tymi i bardhë në këtë realitet qeverisjeje me re të zeza dhe besojnë gabim që shqetësimi i shqiptarëve është ky.
Nuk di se pse seriozisht shqiptarët duhet të kenë këtë shqetësim. Sepse, ndërsa këta shqetësohen për vendin e tyre dhe postin e karriges së tyre, shqiptarët kanë një shqetësim madhor që bërtasin kudo, kanë apo jo ende vend në Shqipëri. Cilido qoftë emri, kushdo qoftë emri, mrekullia e Zotit qoftë ai individ, nuk e bën dot më i vetëm ndryshimin në këtë situatë. Duhet shumë më tepër se një individ për të sjellë atë që shqiptarët presin në këto ditë rebelimi.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






