

TIRANË – Është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare akademiku emeritus Mark Tirta, një prej figurave më të rëndësishme të etnologjisë, antropologjisë dhe albanologjisë shqiptare.
Lajmi është bërë i ditur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e cila shprehu hidhërimin për humbjen e studiuesit që për më shumë se gjashtë dekada ia kushtoi jetën kërkimit, dokumentimit dhe studimit të kulturës shqiptare.
Mark Tirta lindi më 21 maj 1938 në Orosh të Mirditës. Pas përfundimit të studimeve në degën Histori-Gjuhësi në Universitetin e Tiranës, në vitin 1961, ai nisi veprimtarinë në arsim dhe më pas iu përkushtua kërkimit shkencor në fushën e etnologjisë.
Në vitin 1968 nisi punën kërkimore në sektorin e etnografisë të Institutit të Historisë, ndërsa prej vitit 1979 vijoi veprimtarinë pranë Institutit të Kulturës Popullore. Në vitin 2008 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe më vonë mori statusin Akademik Emeritus.
Një jetë kushtuar kulturës shqiptare
Gjatë karrierës së tij, Tirta mori pjesë në ekspedita të shumta kërkimore në vise të ndryshme shqiptare, duke dokumentuar tradita, zakone, besime, mite dhe aspekte të jetës së komuniteteve.
Studimet e tij u përqendruan në një gamë të gjerë temash, përfshirë migrimet e shqiptarëve, mitologjinë popullore, familjen, veshjet tradicionale, të drejtën zakonore, toponiminë, antroponiminë, artin popullor dhe historinë e etnologjisë shqiptare.
Trashëgimia e tij përfshin më shumë se 300 punime shkencore e kulturore, mbi 100 kumtesa të prezantuara në konferenca e kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe dhjetëra studime të botuara në gjuhë të huaja.
Ndër veprat e tij më të njohura janë “Mitologjia ndër shqiptarë”, “Etnologjia e shqiptarëve”, “Etnologjia e përgjithshme”, “Migrime të shqiptarëve”, “Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji” dhe “Lëvizjet migruese të shqiptarëve”.
Akademia e Shkencave e cilësoi Mark Tirtën si një prej studiuesve që i dha një dimension të rëndësishëm shkencor studimit të kulturës tradicionale shqiptare, duke kontribuar në dokumentimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Me ndarjen e tij nga jeta, shkenca dhe kultura shqiptare humbin një prej studiuesve të tyre më të shquar, ndërsa vepra e tij mbetet një burim i rëndësishëm për brezat e ardhshëm të studiuesve.
Akademia e Shkencave shprehu ngushëllimet për familjen, të afërmit, kolegët dhe bashkësinë shkencore.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






