Transmetuar më 27-08-2026, 14:14

TIRANË – Dy skuadra shqiptare zbresin sonte në fushë për ndeshjet e kthimit të play-off-it europian, në një mbrëmje që mund të rezultojë historike për futbollin shqiptar.

Në orën 19:00, Dinamo City përballet në Qipro me Pafos FC, në duelin që do të përcaktojë fatin e tyre në Conference League.

Ndeshja e parë, e zhvilluar në “Elbasan Arena”, përfundoi në barazim 1-1. Dinamo kaloi fillimisht në avantazh, por skuadra qipriote arriti të barazojë nga pika e bardhë, duke e lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit.

Pafos ka avantazhin e fushës dhe, në letër, konsiderohet favorit për shkak të potencialit financiar dhe cilësisë së organikës. Megjithatë, Dinamo ka treguar se di të përballojë sfida të vështira në Europë. Përmbysja 4-0 ndaj Audës mbetet një nga momentet më të forta të aventurës së saj europiane.

Egnatia kërkon historinë në Norvegji

Në të njëjtën orë, KF Egnatia do të luajë në Norvegji ndaj Lillestrøm SK, me synimin për të siguruar një tjetër sukses të rëndësishëm në arenën europiane.

Sfida e parë në Rrogozhinë përfundoi 0-0, ndaj kualifikimi mbetet plotësisht i hapur. Egnatia e ka siguruar tashmë pjesëmarrjen në fazën e ligës së Conference League, pavarësisht rezultatit të kësaj përballjeje, por objektivi i radhës është edhe më ambicioz: kalimi në fazën e ligës së Europa League.

Në duelin e parë, kampionët shqiptarë patën mundësitë e tyre për të shënuar, ndërsa një goditje e Grudës u ndal në traversë. Përballë do të kenë një Lillestrøm që vjen pas një serie prej katër ndeshjesh pa fitore, çka i jep Egnatias arsye për të besuar te një rezultat pozitiv.

Të dyja sfidat pritet të jenë të luftuara deri në fund. Me diferenca minimale mes skuadrave, një episod, një gol apo një gabim mund të vendosë fatin e kualifikimit.

Dinamo dhe Egnatia kanë sonte 90 minuta për të shkruar një tjetër faqe në historinë europiane të futbollit shqiptar.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit