

Një 66-vjeçar, pronar i një hoteli në zonën e Vaqarrit në Tiranë, është arrestuar pasi dyshohet se kishte strehuar emigrantë nga Sudani dhe po organizonte transportimin e tyre drejt veriut të vendit, me synim kalimin e paligjshëm të kufirit dhe më pas udhëtimin drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave të hetimit, në hotelin e tij ishin strehuar disa shtetas të huaj, ndërsa 66-vjeçari Petrit Spaho, dyshohet se kishte siguruar edhe automjete taksi për t’i transportuar drejt Koplikut, raporton noa.al.
Në dy taksitë që ishin nisur drejt veriut udhëtonin gjithsej 7 shtetas nga Sudani. Automjetet u ndaluan gjatë rrugës pas koordinimit mes strukturave kufitare të Tiranës dhe Shkodrës.
Shtatë emigrantët u proceduan në gjendje të lirë për “Kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror”.
Në hetim është përfshirë edhe një prej taksistëve, P. Gj., ndaj të cilit ka nisur procedim në gjendje të lirë për “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Gjatë kontrolleve në hotel dhe veprimeve të tjera hetimore u sekuestruan dy armë gjahu, njëra prej të cilave dyshohet se mbahej pa leje, fishekë, 7 telefona celularë, dy automjetet taksi dhe libri i regjistrimit të klientëve të hotelit.
Pronari i hotelit akuzohet për “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Veprime që pengojnë në zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”.
Çështja i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e hetimeve. /noa.al
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






