

Një 66-vjeçar, pronar i një hoteli në Vaqarr të Tiranës, është arrestuar nga Policia Kufitare, pasi dyshohet se kishte strehuar shtatë shtetas sudanezë dhe u kishte siguruar transportin drejt veriut të vendit, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Operacioni policor është koduar “Stafeta” dhe është finalizuar nga Seksioni i Hetimit në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë.
Sipas policisë, 66-vjeçari me inicialet P. S. dyshohet se i kishte strehuar emigrantët në hotelin e tij në Vaqarr dhe më pas kishte organizuar transportin e tyre me taksi në drejtim të Koplikut.
Policia Kufitare e Tiranës është vënë në ndjekje të dy automjeteve taksi dhe ka bashkëpunuar me strukturat e Policisë Kufitare Shkodër. Dy mjetet janë ndaluar dhe brenda tyre janë gjetur shtatë shtetas nga Sudani.
Emigrantët janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Sekuestrohen armë dhe automjete
Gjatë operacionit, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë gjahu, njëra prej të cilave dyshohet se mbahej pa leje, si dhe fishekë të armës së gjahut.
Gjithashtu, policia ka sekuestruar shtatë telefona celularë, dy automjete taksi dhe librin e regjistrimit të klientëve të hotelit.
Në kuadër të hetimit është referuar në Prokurori edhe një taksist, i cili po procedohet në gjendje të lirë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
66-vjeçari është arrestuar për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Veprime që pengojnë në zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






