Transmetuar më 27-08-2026, 12:08

Detaje të reja janë bërë publike për vrasjen e 44-vjeçares shqiptare Esma Meço në Greqi, e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj, 53-vjeçari Bujar Meço.

Mediat greke kanë publikuar edhe fotografinë e viktimës, ndërsa raportojnë se ajo ishte nga Gramshi dhe se prej vitesh dyshohet se ishte përballur me dhunë në familje.

Sipas raportimeve, Esma Meço kishte vendosur t’i jepte fund martesës dhe kishte planifikuar një takim me avokaten e saj për të nisur procedurat e divorcit. Takimi ishte parashikuar të zhvillohej ditën e sotme, por ngjarja tragjike ndodhi përpara se ajo të mund ta realizonte këtë hap.

U vra me thikë në qafë

Sipas të dhënave të bëra publike nga ekzaminimi mjeko-ligjor, 44-vjeçarja ka humbur jetën në vend si pasojë e plagës së shkaktuar me thikë në pjesën e qafës.

Raportohet se plaga ka qenë e thellë dhe ka prekur mushkërinë e djathtë, duke shkaktuar hemorragji të rëndë. Në trupin e viktimës nuk janë konstatuar dëmtime të tjera, ndërsa vdekja dyshohet se ka ndodhur brenda pak minutash.

Sipas mediave greke, arma e krimit ishte një thikë me gjatësi rreth 20 centimetra.

Dyshimet për motivin

Avokatja që përfaqësonte 44-vjeçaren, Evangelia Kola, ka deklaruar për mediat greke se viktima kishte marrë vendimin për t’u divorcuar nga bashkëshorti dhe se çifti nuk jetonte së bashku kohët e fundit.

Nga hetimet paraprake dyshohet se xhelozia mund të ketë qenë një prej shkaqeve të konflikteve mes çiftit. Megjithatë, autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që vendimi i gruas për t’u divorcuar të ketë luajtur rol në ngjarjen tragjike.

Raportohet gjithashtu se 53-vjeçari kishte marrë më parë trajtim mjekësor dhe ishte shtruar në një klinikë psikiatrike, por më pas ishte vlerësuar se nuk kishte nevojë për qëndrim të mëtejshëm spitalor.

Hetimet e autoriteteve greke vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e vrasjes dhe motivin që çoi në ngjarjen tragjike.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit