Transmetuar më 27-08-2026, 12:00

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) zhvillon sot një seancë publike për shqyrtimin e dy kërkesave ankimore që lidhen me mandatin e kryetarit të Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Riza Hajdari.

Seanca lidhet me ankimet e depozituara nga Partia e Lirisë dhe Lefter Maliqi kundër vendimit nr. 46, datë 1 korrik 2026, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Ankimuesit kundërshtojnë vendimin e KSHZ-së lidhur me shqyrtimin administrativ të rezultatit të verifikimit për Hajdarin, i cili është propozuar nga Partia Socialiste për drejtimin e Bashkisë Kuçovë.

Në kërkesën e tij, Lefter Maliqi kërkon shfuqizimin e vendimit të KSHZ-së dhe konstatimin se Hajdari ka paraqitur, sipas pretendimit të tij, të dhëna të pavërteta, të paplota ose të pasakta në formularin e vetëdeklarimit të dorëzuar më 2 prill 2023.

Sipas ankimit, Maliqi pretendon se në formularin e dekriminalizimit nuk është deklaruar një dënim penal dhe masa e dëbimit nga Republika e Greqisë.

Kërkohet përfundimi i mandatit

Në kërkesën ankimore, Maliqi kërkon gjithashtu që të konstatohen pasojat ligjore që, sipas tij, sjell deklarimi i rremë në formularin e dekriminalizimit, bazuar në ligjin për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike.

Një prej kërkesave kryesore është shpallja e pavlefshmërisë dhe përfundimi i parakohshëm i mandatit të kryetarit të Bashkisë Kuçovë, si dhe njoftimi i institucioneve kompetente për vijimin e procedurave ligjore.

Në mënyrë alternative, ankuesit kërkojnë shfuqizimin e vendimit nr. 46/2026 dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.

Në kërkesën e depozituar përmenden gjithashtu çështje që lidhen me një vendim penal për falsifikimin e formularit të precedentit, si dhe me gjendjen juridike të Hajdarit në momentin e kandidimit.

KAS pritet të shqyrtojë argumentet e palëve dhe provat e paraqitura përpara se të marrë vendim lidhur me ankimet. Vendimi do të përcaktojë edhe vijimin e procedurave lidhur me statusin e mandatit të kryetarit të Bashkisë Kuçovë.

Pretendimet e paraqitura në ankim janë qëndrime të palës ankimuese dhe do të vlerësohen nga KAS në kuadër të shqyrtimit administrativ të çështjes.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit