

Protesta e zhvilluar në Maliq kundër propozimit për shkrirjen e Bashkisë Maliq dhe bashkimin e saj me Bashkinë Korçë është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes organizatorit të protestës dhe gazetarëve që po raportonin nga terreni.
Incidenti ndodhi gjatë kohës që gazetarët po intervistonin disa prej protestuesve. Sipas dëshmive të gazetarëve të pranishëm në vendngjarje, organizatori i protestës, Arjan Asimi, ka ndërprerë intervistat dhe ka akuzuar mediat si “të shitura” dhe në shërbim të pushtetit.
Situata më pas është përshkallëzuar. Sipas pretendimeve të gazetarëve, ndaj tyre janë përdorur fyerje dhe ka pasur edhe përplasje fizike gjatë tentativës për të vijuar raportimin.
Për shkak të tensioneve, gazetarët kanë ndërprerë intervistat dhe janë larguar nga vendi ku po zhvillohej protesta.
Pas incidentit, ata janë paraqitur në Komisariatin e Policisë Maliq, ku kanë kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve lidhur me atë që e konsiderojnë pengim të ushtrimit të detyrës, përplasjen fizike dhe denigrimin e figurës së tyre profesionale.
Protesta në Maliq është zhvilluar kundër propozimit për riorganizimin territorial, i cili parashikon shkrirjen e Bashkisë Maliq dhe bashkimin e saj me Bashkinë Korçë.
Ndërkohë, incidenti me gazetarët ka shtuar tensionet gjatë protestës, ndërsa pritet që autoritetet të vlerësojnë rrethanat e ngjarjes dhe pretendimet e palëve të përfshira.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






