Transmetuar më 27-08-2026, 11:13

Një debat për ujin e pijshëm dyshohet se përfundoi në sulm të rëndë. Policia arrestoi Klevis Lekën dhe sekuestroi një thikë e një motorsharrë

Tiranë – Një konflikt për linjën e ujit të pijshëm në një pallat në zonën e Astirit në Tiranë dyshohet se ka përfunduar në një sulm të rëndë ndaj administratorit 74-vjeçar të objektit.

Autori i dyshuar është Klevis Leka, 35 vjeç, banor i të njëjtit pallat, i cili është arrestuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 menjëherë pas ngjarjes.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm në ambientet e një pallati në rrugën “Aleksandri i Madh”. Policia u njoftua nga banorët se pranë pallatit ndodhej i plagosur rëndë administratori, shtetasi F. G., 74 vjeç.

Forcat policore mbërritën në vendngjarje dhe, pas veprimeve të para hetimore, identifikuan si autor të dyshuar Klevis Lekën.

Sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, mes 35-vjeçarit dhe administratorit kishte lindur një konflikt për linjën e ujit të pijshëm të pallatit. Debati dyshohet se ka agravuar deri në përdorimin e mjeteve prerëse, duke lënë 74-vjeçarin të plagosur rëndë.

Gjatë veprimeve në vendngjarje, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një thikë dhe një motorsharrë, ndërsa po hetohet dinamika e plotë e sulmit dhe mënyra se si janë përdorur mjetet e sekuestruara.

Administratori u transportua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Klevis Leka u arrestua dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. /noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit