Transmetuar më 27-08-2026, 11:02

Avokati Maks Haxhia ka zhvilluar mëngjesin e kësaj të enjteje një takim me klientin e tij, biznesmenin Ergys Agasi, i cili u arrestua në kuadër të hetimeve të SPAK për çështjen e tenderëve të AKSHI-t.

Pas takimit, Haxhia u prononcua për mediat, duke deklaruar se mbrojtja kërkon të njihet me dosjen hetimore përpara se të paraqesë pretendimet e saj lidhur me akuzat ndaj klientit.

Sipas avokatit, Agasi pretendon se nuk ka pasur asnjë rol në menaxhimin apo financat publike dhe se nuk ka marrë pjesë në procedura tenderimi.

“Zhvillova një takim me klientin tim Ergys Agasi. Ne si palë mbrojtëse duam që të njihemi me dosjen. Duam të njihemi me dosjen, se pa e pasur atë, nuk kemi si të ngremë edhe pretendimet”, deklaroi Haxhia.

Avokati shtoi se, sipas pretendimeve të Agasit, biznesmeni nuk ka prekur financat publike, pasi nuk ka pasur një funksion të tillë dhe nuk ka marrë pjesë në tendera.

“I mbrojturi prej meje Agasi, pretendon dhe ky është fakt, se është jashtë çdo ngarkese juridike. Ai pretendon se nuk ka prekur financat publike, sepse nuk ka pasur funksion të tillë, që të financojë financën publike. Nuk ka marrë pjesë as nëpër tendera”, u shpreh ai.

Duke kundërshtuar mënyrën se si është proceduar me arrestimin, Haxhia përdori një shprehje të fortë për të argumentuar se, sipas tij, fillimisht duhet të mblidhen provat dhe më pas të vendoset për masën e sigurisë.

“Në Shqipëri të fusin në burg, pastaj nisin me akuzat. E di atë historinë, ta presin këmbën e pastaj ta numërojnë që nëse ke apo jo dy këmbë. Duhet të jetë e kundërta, duhet të bëjnë hetime, të gjejnë prova dhe më pas të kërkohet masë e përshtatshme”, tha Maks Haxhia.

Si u arrestua Ergys Agasi?

Ergys Agasi u arrestua në zonën e Plepave në Durrës, pasi ishte lokalizuar fillimisht në Elbasan. Në të njëjtin aksion u arrestua edhe ish-efektivi i Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku.

Agasi është nën hetim në kuadër të një dosjeje të SPAK që lidhet me dyshime për manipulimin e tenderëve publikë të AKSHI-t. Sipas akuzave të ngritura nga organi i akuzës, ai dyshohet se ka bashkëpunuar me Ermal Beqirajn, i arrestuar më herët në Francë.

Në kuadër të së njëjtës dosje, ish-drejtoreshës së AKSHI-t i është lehtësuar masa e sigurisë në “detyrim paraqitjeje”.

Pas arrestimit të Agasit dhe Shpatarakut, me urdhër të SPAK është kryer edhe një kontroll në banesën e këtij të fundit, në zonën e “Liqenit të Thatë” në Tiranë, ku dyshohet se janë kërkuar prova elektronike dhe dokumente që mund të lidhen me hetimin.

Pretendimet e avokatit për pafajësinë e klientit përbëjnë qëndrimin e mbrojtjes, ndërsa vlerësimi i përgjegjësisë penale i takon organeve të drejtësisë në vijim të procesit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit