Transmetuar më 27-08-2026, 11:00

Detaje të reja janë zbardhur nga aksioni i forcave “Shqiponja” që çoi në arrestimin e Ergys Agasit dhe ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku, në zonën e Plepave në Durrës.

Sipas burimeve, Agasi dhe Shpataraku po udhëtonin me një automjet tip “Audi” kur kanë konstatuar praninë e një postoblloku policie në autostradë. Në këto rrethana, drejtuesi i automjetit dyshohet se ka tentuar të shmangë kontrollin dhe të vijojë lëvizjen.

Sipas pamjeve të bëra publike, Shpataraku, i cili ndodhej në timon, ka tentuar të kalojë përmes një manovre parakalimi për t’iu shmangur efektivëve. Megjithatë, lëvizja është ndërprerë nga forcat e policisë, të cilat kanë bllokuar automjetin dhe kanë neutralizuar situatën.

Pas ndalimit të mjetit, efektivët kanë bërë shoqërimin dhe më pas arrestimin e dy personave.

Si u lokalizua dhe arrestua Ergys Agasi?

Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për tenderët e AKSHI-t, u lokalizua fillimisht në Elbasan. Policia ndoqi lëvizjet e automjetit në drejtim të Peqinit dhe Rrogozhinës, deri në zonën e Plepave në Durrës, ku u bë ndërhyrja.

Së bashku me Agasin u arrestua edhe Uljan Shpataraku.

Agasi dyshohet nga organi i akuzës se ka pasur rol në një skemë të hetuar nga SPAK për manipulimin e tenderëve publikë. Në kuadër të kësaj dosjeje po hetohen edhe persona të tjerë, ndërsa Ermal Beqiraj, i cili dyshohet se ka pasur rol në krijimin e një grupi të strukturuar kriminal, është arrestuar më herët në Francë.

Pas arrestimit të Agasit dhe Shpatarakut, me urdhër të SPAK është kryer edhe një kontroll në banesën e këtij të fundit, në zonën e “Liqenit të Thatë” në Tiranë. Sipas burimeve, kontrollet kanë synuar gjetjen e dokumenteve dhe provave elektronike që mund të jenë të lidhura me hetimin.

Në kuadër të së njëjtës dosje, ish-drejtoreshës së AKSHI-t i është ndryshuar masa e sigurisë në “detyrim paraqitjeje”.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rolit të personave të përfshirë dhe të rrethanave të procedurave të prokurimit të vendos

ura nën hetim.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit