

Detaje të reja janë bërë publike lidhur me arrestimin e Ergys Agasit, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në kuadër të hetimeve për abuzimet me tenderët publikë të AKSHI-t.
Sipas burimeve, Agasi është lokalizuar fillimisht në Elbasan, ku automjeti me të cilin udhëtonte së bashku me ish-efektivin e Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku, është pikasur nga një patrullë policie.
Pas konstatimit të automjetit, policia ka vijuar ndjekjen në drejtim të Peqinit dhe Rrogozhinës, për të përfunduar më pas në zonën e Plepave, në Durrës, ku mjeti është ndaluar.
Në momentin e ndalimit, drejtues i automjetit dyshohet se ishte Uljan Shpataraku, i cili gjithashtu u arrestua nga policia.
4 mijë euro cash në automjet
Gjatë kontrollit të automjetit, sipas burimeve të cituara në raportimet mediatike, janë gjetur rreth 4 mijë euro cash.
Ndërkohë, vëmendje ka tërhequr edhe një kuti e kuqe që Ergys Agasi kishte me vete. Sipas të njëjtave burime, ai e ka mbajtur kutinë edhe pasi është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Burgjeve.
Deri në këtë fazë, nuk janë bërë publike të dhëna zyrtare që të sqarojnë përmbajtjen e kutisë apo rëndësinë e saj në kuadër të hetimit.
Hetimi për tenderët e AKSHI-t
Ergys Agasi është arrestuar në kuadër të një hetimi të SPAK-ut mbi dyshimet për manipulimin e tenderëve publikë të AKSHI-t.
Sipas akuzave të ngritura nga organi i akuzës, Agasi dyshohet se ka bashkëpunuar me Ermal Beqirajn, i cili ishte arrestuar më herët në Francë. Hetimi lidhet me pretendimet për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal dhe manipulimin e procedurave të prokurimit publik përmes korrupsionit dhe formave të tjera të paligjshme të presionit.
Pas arrestimit të Agasit dhe Shpatarakut, me urdhër të SPAK-ut është kryer edhe një kontroll në banesën e Shpatarakut, në zonën e “Liqenit të Thatë” në Tiranë. Sipas burimeve, kontrollet kanë pasur si qëllim gjetjen dhe sekuestrimin e dokumenteve dhe provave elektronike që mund të lidhen me hetimin.
Në kuadër të së njëjtës dosje, ish-drejtoreshës së AKSHI-t i është ndryshuar masa e sigurisë, duke kaluar në “detyrim paraqitjeje”.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar rolin e personave të dyshuar dhe për të përcaktuar përgjegjësitë individuale në çështjen e tenderëve publikë.


Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






