

Një email me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste është dërguar mëngjesin e së enjtes në adresat elektronike të disa institucioneve në qytete të ndryshme të vendit, duke shkaktuar angazhimin e menjëhershëm të strukturave të Policisë së Shtetit.
Në mesazh pretendohet se në ndërtesat e institucioneve është vendosur një bombë dhe se ajo do të shpërthejë brenda dy orësh. Autorët e mesazhit pretendojnë se i përkasin organizatës terroriste ISIS.
Pas marrjes së njoftimit, strukturat e Policisë së Shtetit kanë nisur kontrollet dhe verifikimet në institucionet e përfshira në kërcënim.
Sipas policisë, nga kontrollet e kryera deri tani nuk është konstatuar prani bombe apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.
Paralelisht, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, po punon për identifikimin e autorit dhe gjurmimin e adresës elektronike nga e cila janë dërguar kërcënimet.
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, duke theksuar se nuk ka vend për panik dhe se strukturat ligjzbatuese vijojnë të jenë të angazhuara për garantimin e sigurisë publike.
Hetimet për verifikimin e plotë të kërcënimit dhe identifikimin e personit ose personave përgjegjës vijojnë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






