

LAJM NË ZHVILLIM – Një njoftim shqetësues për vënie bombe, ka krijuar pak më parë alarm të njëkohshëm në disa qytete të Shqipërisë duke vënë në gjendje ankthi zyrat e bashkive, institucioneve të ndryshme qeveritare dhe lokale si dhe zyrat e SPAK.
Raportohet se ndër institucionet që kanë marrë mesazhin kërcënues janë SPAK, GJKKO, ISSH, AIDA dhe institucione të tjera në disa qytete të vendit.
Policia e Shtetit ka konfirmuar lajmin duke pohuar se "mëngjesin e sotëm, në adresat elektronike të disa institucioneve në disa qytete të vendit, është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste, në të cilin pretendohet se në këto institucione është vendosur një bombë".
Në mesazhin kërcënues njoftohet se në këto ndërtesa janë vendosur bomba dhe se ato do të shpërthejnë pas dy orësh. Mesazhi përmban gjithashtu kërcënime të rënda ndaj punonjësve të institucioneve.
Për shkak të natyrës së kërcënimit, situata po trajtohet me masa të plota sigurie, ndërsa pritet verifikimi nga strukturat përgjegjëse nëse bëhet fjalë për një kërcënim real apo një alarm të rremë, tha Policia e Shtetit.
Kjo është hera e parë që precipiton në mënyrë të tillë me njoftime të njëkohshme për vënie bombe në shynë institucione qeveritare, lokale dhe deri të natyrës ekonomiko-sociale.
Pas marrjes së këtij informacioni, strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme në institucionet e përfshira në këtë kërcënim. Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.
Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, vijojnë punën intensive për identifikimin e autorit dhe të adresës elektronike nga e cila janë dërguar këto kërcënime.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se nuk ka vend për panik dhe se strukturat e saj janë të angazhuara maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






